Shqipëria nuk i ka shpëtuar “darës” së motit të keq!
Në vendin e quajtur Qafë-Murrizë në Dibër, ku në intervale të shkurtra kohore bien reshje dëbore, Policia Rrugore ka shtuar masat. Patrullat ndalojnë dhe këshillojnë drejtuesit e mjeteve që të moderojnë shpejtësinë e të qarkullojnë me vëmendje të shtuar në Bypass.
Duke u nisur nga fakti që gjatë natës e në mëngjes herët, temperaturat ulen ndjeshëm e mund të krijohen shtresa akulli, Policia Rrugore apelon dhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që përdorin rrugën e Arbrit, të tregojnë kujdes në Bypass e të ndjekin udhëzimet e efektivëve. Ndërkohë, tre borëpastruese vijojnë punën duke e mbajtur të hapur aksin.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se sot vendi do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme e të lagështa, me origjinë jugperëndimore. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura, si edhe me alternime të herëpashershme e afatshkurtra me diell, kryesisht në pjesën e parë të ditës.
Sa i përket pjesës së dytë të ditës, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, në formën e shtrëngatave. Në orët e vona të mbrëmjes në zonën e jug-jugperëndimit priten reshje me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive, shoqëruar me breshër e shkarkesa elektrike.
Në relievet malore në lindje, në lartësitë mbi 300 metër parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët e mesatar. Po ashtu reshje bore me intensitet të ulët deri në lartësitë kodrinore mbi 400-500 metër. Po ashtu, reshje të dëborës me intensitet të ulët në veriperëndim zbresin deri në lartësitë 100-200 metër.
Era do të fryjë me drejtim juglindje-jugperëndim me shpejtësi nga 3-10 m/s, ndërsa në bregdet dhe lugina do të ketë erë tepër intensive e shpejtësi që arrin nga 15-20 m/sek deri në orët e mesditës. Më pas, intensiteti i erës bie. Valëzimi në dete fillimisht parashikohet i forcës 4-7 ballë e më tej 1-2 ballë.
Temperaturat parashikohen:
Shkodër
2/10
Re shi /borë
Kukës
-1/7
Re borë
Lezhë
4/6
Re shi /borë
Dibër
-2/4
Re borë
Durrës
4/11
Re shi
Tiranë
5/11
Re shi
Elbasan
3/5
Re shi/borë
Berat
4/7
Re shi
Vlorë
5/10
Re shi/stuhi
Korçë
0/5
Re borë
Gjirokastër
2/16
Re shi stuhi/borë
Sarandë
5/9
Re shi/stuhi