380 emigrantë me 8 gomone, vazhdon “pushtimi” i La Manshit: Dita më e ngarkuar!
Të paktën 380 vetë me 8 deri në 10 gomone kaluan brenda të dielës La Manshin, çka e bën këtë ditën më të ngarkuar të kalimeve të paligjshme nga Franca drejt Anglisë që prej fillimit të vitit, sipas shtypit britanik.
Edhe mëngjesin e sotëm ka pasur raportime për disa varka të tjera, të cilat nuk kishin mbërritur ende në ujërat angleze. Përkeqësimi i ndjeshëm i kushteve atmosferike nuk i ka zmbrapsur klandestinët që i hyjnë kësaj rruge të rrezikshme, përkundrazi numri i tyre duket të jetë në rritje.
Një zbutje e motit pasditen e vonë të së shtunës i lejoi trafikantët të nisnin sërish gomone nga brigjet franceze, thotë korrespondenti i GBnews, Mark White. Anijet e marinës franceze ndjekin një politikë të qartë, sipas White, që të mos ndërhyjnë për të ndaluar gomonet në momentin që ato janë në ujë.
Ndërhyrja bëhet vetëm në momentet kur varkat me emigrantë hasin në vështirësi përpara se të mbërrijnë në ujrat e Mbretërisë së Bashkuar. Autoritetet angleze, sipas shkrimit, janë të përgatitura për mundësinë që mijëra njerëz mund të tentojnë kalimin në ditët në vijim, pasi kushtet atmosferike pritet të përmirësohen disi deri të mërkurën.
Sipas raporteve në shtypin vendas, që citonte të dhëna nga ministria e brendshme, gjatë 2022-shi në Britaninë e Madhe kanë hyrë përmes La Manshit mbi 12 mijë shqiptarë.