Pas pezullimit 2-vjeçar, Trump-it i zhbllokohet llogaria në Facebook!
META, kompania ombrellë që zotëron rrjetin social Facebook ka zhbllokuar llogarinë personale të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pas një pezullimi prej dy vitesh që pasoi trazirat e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit. Dy vjet më parë, mbështetës të tij sulmuan godinën, në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së rivalit demokrat Joe Biden në presidencialet e nëntorit 2020.
Në një postim, kompania META me qendër në Menlo Park të Kalifornisë tha se po shton “masa të reja” për ata që kanë shkelur rregullat e rrjetit Facebook në të kaluarën.
Në rast se ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë, Trump poston mesazhe të tjera me përmbajtje që bien ndesh me rregulloren, postimi i tij do të hiqet dhe ai do të pezullohet nga rrjeti për një periudhë një mujore deri në dy vjet e kjo në varësi të shkeljes.
Përmes një postimi në rrjetin social, “Truth Social”, Trump kritikoi vendimin e rrjetit Facebook për ngrirjen e llogarisë ndërsa vlerësoi rrjetin e tij.
Facebook që ka humbur një vlerë prej disa miliarda dollarësh që kur pezulloi presidentin tuaj të preferuar, pra mua, sapo ka njoftuar se po zhbllokon llogarinë time. Një gjë e tillë nuk duhet t’i ndodhë më kurrë një presidenti në detyrë apo kujtdo tjetër që nuk e meriton ndëshkimin!
Donald Trump u pezullua nga rrjeti Facebook më 7 janar të vitit 2021, një ditë pas trazirave vdekjeprurëse në ndërtesën e Kongresit. Kompanitë e tjera të mediave sociale po ashtu e përjashtuan Trump-in nga platformat e tyre edhe pse rrjeti Twitter i zhbllokoi llogarinë pas blerjes së kompanisë nga miliarderi Elon Musk, muaj më parë. Që nga ajo kohë, Trump nuk ka postuar në rrjetin Twitter.
I bllokuar nga mediat kryesore sociale, ish-presidenti amerikan është mbështetur në rrjetin Truth Social, të cilin e krijoi pasi u bllokua nga rrjeti Twitter.