Guvernatori i BSH-së, Sejko: Stabiliteti i çmimeve, objektiv prioritar!

vovalbania January 30, 2023 0 koment 6 Mund të lexoni në minuta.
Guvernatori i BSH-së, Sejko: Stabiliteti i çmimeve, objektiv prioritar!

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka prezantuar raportin e Tranzicionit 2022-2023 ku nënvizohet se konflikti ushtarak në Ukrainë ka çuar në një jetesë të pazakontë jo vetëm për vendin tonë.  Bazuar në raport, Sejko deklaroi se rritja e inflacionit u përshpejtua, duke arritur në nivele të pashënuara prej disa dekadash. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se reduktimi i deficitit buxhetor, i shfaqur në formën e frenimit të investimeve publike, ka ndihmuar në kontrollin e presioneve inflacioniste dhe ka rritur hapësirat e reagimit të politikës fiskale në të ardhmen.

Sipas Sejkos, politikat ekonomike ndihmuan në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar. Sejko shtoi se projeksionet sugjerojnë se inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Për më tepër, Sekjo u shpreh optimist se ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë kësaj periudhe.

Fjala e plotë e Guvernatorit të  Bankës së Shqipërisë

Në radhë të parë, më lejoni t’ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë prezantim të Raportit të Tranzicionit për periudhën 2022 – 2023, të përgatitur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Si gjithnjë, ky Raport mbetet një analizë profesionale dhe autoritare e ecurisë së ekonomive në proces tranzicioni e konvergjence, një pasqyrë e plotë e sfidave afatshkurtra e afatgjata me të cilat ato përballen, si dhe një udhërrëfyes i çmuar i politikave të stabilizimit e zhvillimit, të nevojshme për të mbështetur një progres të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror.

Në këtë kontekst, është kënaqësi e veçantë për Bankën e Shqipërisë ta mirëpresë këtë event, i cili mbledh së bashku studiues të fushës, aktorë të rëndësishëm të sektorit publik e privat, si dhe përfaqësues të industrisë financiare. Jam i bindur se ky forum diskutimi do të lehtësojë shkëmbimin e ideve dhe identifikimin e masave të nevojshme për adresimin e sfidave që kemi përpara.

Duke përfituar nga rasti, përpara se t’ia kaloj fjalën përfaqësuesve të BERZH-it për të prezantuar Raportin, më lejoni të ndaj me ju opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi disa nga temat kryesore të prekura në të.

Kryefjalë e Raportit të këtij viti janë pasojat ekonomike të konfliktit ushtarak në Ukrainë, të para këto si në planin afatshkurtër e afatmesëm, ashtu dhe në atë afatgjatë. Ky konflikt tragjik ka shkaktuar humbje të mëdha në jetë njerëzore, gjymtime dhe pasoja afatgjata sociale, si dhe një shkundje të rendit gjeopolitik botëror. Me të drejtë, Raporti i Tranzicionit nënvizon se po jetojmë në një kohë të pazakontë dhe për një pjesë të madhe të shoqërisë, deri para pak, të paimagjinueshme. Në aspektin ekonomik, ky konflikt ishte një goditje e fortë oferte për thuajse gjithë kontinentin evropian, goditje e cila u pasqyrua në rritje të inflacionit dhe të pasigurisë, në përkeqësim të termave të tregtisë, në thellim të deficiteve të llogarisë korrente, si dhe në shtrëngim të kushteve financiare.

Në këto rrethana, brenda një harku të shkurtër kohor pas përfundimit të emergjencës së pandemisë, ekonomitë e rajonit u detyruan të përballen me një sfidë tjetër madhore, sfidë e cila rrezikoi stabilitetin ekonomik e financiar dhe dëmtoi perspektivat e rritjes për të ardhmen.

Në mënyrë të natyrshme, ekonomia shqiptare nuk bëri përjashtim nga ky realitet. Pas një rimëkëmbjeje të shpejtë e të plotë ekonomike gjatë vitit 2021, goditja e ofertës së huaj u transmetua direkt në kostot e prodhimit dhe në çmimet e konsumit. Për rrjedhojë, rritja e inflacionit u përshpejtua, duke arritur në nivele të pashënuara prej disa dekadash.

Këto zhvillime parashtruan sfida të qenësishme për vendimmarrësit e sektorit privat dhe publik.

Për operatorët e sektorit privat, rritja e kostove dhe dëmtimi i zinxhirëve ndërkombëtarë të prodhimit e të tregtimit, kërkoi një rivlerësim të përshtatshmërisë së planeve të biznesit, si dhe marrjen e masave operacionale e financiare për të ruajtur qëndrueshmërinë e bilanceve të tyre. Zhvillimet e deritanishme janë inkurajuese. Sektori privat shqiptar ka vijuar të shënojë rritje të konsumit dhe të investimeve, duke gjeneruar në të njëjtën kohë rritje të punësimit e të pagave, rritje të produktivitetit e bilance të shëndosha financiare.

Për vendimmarrësit e sektorit publik, rritja e shpejtë dhe e gjithanshme e çmimeve, parashtroi sfidën e dyfishtë të zbutjes së pasojave ekonomike e sociale në afatin e shkurtër dhe të ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar të vendit në afatin e mesëm dhe të gjatë. Për të arritur këto qëllime, sikundër nënvizon dhe Raporti i Tranzicionit, harmonizimi i politikës monetare me atë fiskale ka qenë dhe mbetet një tipar esencial i politikave të suksesshme ekonomike.

Stabiliteti afatmesëm dhe afatgjatë i çmimeve ka qenë dhe mbetet objektivi prioritar i punës së Bankës së Shqipërisë. Për këtë arsye, ne nisëm herët dhe ndoqëm në mënyrë konsekuente një proces normalizimi të qëndrimit të politikës monetare. Ky proces u materializua në rritje progresive të normës bazë të interesit, në komunikim të hapur të pritjeve tona për të ardhmen, si dhe në rikonfirmim të vazhdueshëm të vullnetit të Bankës së Shqipërisë për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto sa më të ulëta mbi aktivitetin ekonomik. Këto vendime kanë qenë të udhëhequra nga analiza dhe parashikime të kujdesshme, të bazuara në informacionin më të fundit, si dhe të orientuara nga ruajtja e balancave të duhura midis rreziqeve për ekonominë e vendit.

Në të njëjtën kohë, reduktimi i deficitit buxhetor, i shfaqur në formën e frenimit të investimeve publike, ka ndihmuar në kontrollin e presioneve inflacioniste dhe ka rritur hapësirat e reagimit të politikës fiskale në të ardhmen. Paralelisht me të, subvencionimi i çmimit të shitjes me pakicë të energjisë elektrike për familjet dhe zbatimi i paketave sociale  masa këto të cilat vlerësohen rreth nivelit 2% të PBB-së, ndihmuan në zbutjen e ndikimit të goditjes në shtresat më të brishta të shoqërisë shqiptare.

Politikat tona ekonomike ndihmuan në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar. Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Për më tepër, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë kësaj periudhe, ndërsa bilancet e bizneseve e familjeve pritet të mbeten të shëndetshme në tërësinë e tyre.

Pavarësisht kësaj tabloje, sfidat mbi ekonomitë në tranzicion mbeten ende prezente. Raporti i Tranzicionit me të drejtë nënvizon se konfliktet dhe tensionet gjeopolitike sjellin pashmangshmërisht ndryshime të rëndësishme strukturore.

Së pari, këto konflikte shoqërohen me rritje të emigracionit, me pasoja afatgjata si për vendet pritëse dhe për ato të origjinës. Si një vend me histori të pasur emigracioni, Shqipëria ka përjetuar si anët pozitive ashtu edhe ato negative të tij. Nga njëra anë, ky fenomen ka gjeneruar flukse hyrëse valutore e rritje të përgjithshme të dijeve e të ekspertizës, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, ai pakëson forcën e punës sidomos në segmentet më të kualifikuara të saj dhe dëmton perspektivat e rritjes afatgjatë. Për këtë arsye, mendoj se nevojitet një koordinim më i mirë në nivel ndërkombëtar, për t’u kujdesur që përfitimet e ardhura nga emigrimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve, të ndahen në mënyrë sa më të drejtë midis vendeve.

Së dyti, tensionet gjeopolitike pasqyrohen në rritje të proteksionizmit, fragmentarizim të zinxhirëve të prodhimit e riorientim të flukseve të investimeve të huaja direkte drejt vendeve mike, si dhe frenim të procesit të globalizimit.

Së treti, tensionet gjeopolitike ulin vëmendjen ndaj reformave strukturore, të cilat kanë qenë dhe mbeten instrumenti i vetëm për një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme ekonomike.

Sa më sipër, detyra e politikëbërësve, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, është t’i njohin këto sfida dhe të kujdesen për minimizimin e pasojave të tyre. Në veçanti, kryerja e reformave strukturore, e cila është ngadalësuar që prej nisjes së pandemisë në të gjitha vendet e rajonit, duhet të rikthehet si prioritet kombëtar strategjik për të gjitha vendet në tranzicion. Ndjekja e kësaj politike do të mundësonte si shuarjen e efekteve të mundshme negative në afat të gjatë, ashtu edhe nxjerrjen e disa përfitimeve ekonomike.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65697 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE