Vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës/ OBSH ndryshon rregullat: Mjafton edhe një ose dy doza për moshat 9-20 vjeç!
Vaksinimi ndaj Human Papiloma virus, i cili shkakton kancerin qafës së mitrës ka ngjallur interes të shtuar tek prindërit për të vaksinuar vajzat e tyre.
Madje për vajzat 14 vjeç e lart, të cilat nuk përfshihen në programin e Institutit të Shëndetit Publik për ta përfituar falas, prindërit i janë drejtuar mjekëve nëpër klinika private.
Por këta të fundit duhet të rifreskojnë njohuritë e tyre në lidhje me dozat që duhen bërë pasi Organizata Botërore i ka ndryshuar ato sikundër duken qartë edhe në faqen e saj zyrtare.
Pra vajzat nga 9-14 vjeç duhet të bëjnë 1 ose dy doza. Po kaq edhe vajzat nga 15 deri 20 vjeç. Ndërsa mbi 21 vjeç duhet të bëjnë dy doza me një interval prej 6 muajsh.
Këto rekomandime kanë mbërritur në sistemin shëndetësor publik pasi sipas Binos, është shpërndarë informacion mjekëve të familjes edhe atyre të konsultorit.
“Nga vlerësimet e fundit të OBSH-së, vaksina është tepër efektive vetëm një dozë. Për grupmoshat e tjera që rekomandoheshin tre doza, duhen dy doza”- shprehet Silva Bino.
Bino shpjegon se vaksina ndaj HPC ka pasur një ecuri të mirë dhe me vonë pritet të përfshihen në program edhe vajza të moshave më të rritura.
“Kemi 2-3 muaj që kemi filluar vaksinimin dhe po shohim pranueshmëri. Për fat të mirë nuk ka dhënë efekte anësore”- shton Silva Bino.