Kamerat e paligjshme në Tiranë, i forti i “Myslym Shyrit” mes 37 personave nën hetim

vovalbania January 31, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kamerat e paligjshme në Tiranë, i forti i “Myslym Shyrit” mes 37 personave nën hetim

Gjergj Cukali, i njohur si i forti i “Myslym Shyrit” është mes personave nën hetim për vendosjen e paligjshme të kamerave në Tiranë.  Gjergj Cukali është një personazh mjaft i njohur në botën e krimit, ndërsa aktualisht është dërguar për gjykim nga SPAK.

Cukali akuzohet si porositësi i vënies së tritolit në makinën e biznesmenit Gjon Mena në Kamëz më 9 shkurt të vitit 2021. Policia për atentatin me tritol në Kamëz, arrestoi Gjergj Cukali dhe dy vëllezërit, Ermond dhe Enver Jakimi.

Por historia e tij kriminale nuk nisi në 2021-shin, por në 2004-n, ku u akuzua për peng marrje.

Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit F.D., ngjarje e ndodhur në vitin 2004.

Ndërkohë në korrik të 2016, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Tangent”, ku Cukali ishte drejtuesi i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin anëtarët e grupit dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Willson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e Porcelanit dhe në rrugën e Elbasanit.

Përmes veprimeve procedurale dhe duke përdorur metoda speciale, Policia e Tiranës kishte dokumentuar aktivitetin kriminal të këtij grupi. Hetimet patën provuar se shtetasit e arrestuar e siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët.

Cukali kishte edhe një identitet tjetër, gjë që iu zbulua menjëherë pas arrestimit në vitin 2016. Atë kohë Top Chanel ka siguruar dokumentet e falsifikuara me identitetin Ergi Hoxha. Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, iu sekuestruan nga policia, e cila ndaj Cukalit kishte ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Pas një viti qëndrimi në burg, Gjergji Cukali sërish arriti të dilte. Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumentoi se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuante nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta.

Gjergj Cukali sërish nuk arriti të qëndronte dot larg telasheve. Në vitin 2018 arrestohet sërish për thyerjen e masës së sigurisë.

Në vitin 2019 ai u arrestua si i akuzuari kryesor për vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali me 30 janar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65858 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE