SHBA: Kurti dhe Osmani konfirmojnë pjesëmarrjen në diskutimin për Asociacionin
Ambasada amerikane në Prishtinë tha se Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtin dhe ajo e presidentes Vjosa Osmani, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në diskutimin për Asociacionin, që do ta organizojë kjo ambasadë më 31 janar.
“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në një përgjigje të zëdhënëses së Ambasadës amerikane, Katherine Judd, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Ambasada amerikane tha se diskutimi për Asociacioni konsiston me qëllimin e Shteteve të Bashkuara për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe është si “reflektim për miqësinë tonë të gjatë dhe mbështetjen për popullin e Kosovës”.
Shtetet e Bashkuara më herët kanë deklaruar se në diskutimin e 31 janarit janë ftuar një grup divers i liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve.
Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në diskutimin e organizuar nga SHBA-ja.