Amerika edhe 2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës/Të premten samiti Ukrainë-BE!
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke përgatitur më shumë se 2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, e cila për herë të parë pritet të përfshijë raketa me rreze më të gjatë veprimi, si dhe municione e armë të tjera. Dy zyrtarë amerikanë të cituar nga agjencia Reuters thanë se ndihma pritet të shpallet brenda kësaj jave e do të përfshijë pajisje mbështetëse për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe armë antitank Javelin.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, rreth një vit më parë, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë më shumë se 27 miliardë dollarë si ndihmë për Kievin zyrtar që kërkon armatime gjithnjë e më të rënda për t’i bërë ballë pushtuesve. Edhe aleatët perëndimorë kanë ofruar armë në vlerë miliarda dollarë për Ukrainën, vendit që tashmë i janë premtuar edhe tanke gjermane e amerikane.
Rusia disponon më shumë tanke se Ukraina, por modelet që ka Moska janë shumë inferiore krahasuar me tanket perëndimore. Si Rusia, ashtu edhe Ukraina presin që të nisin ofensiva gjatë javëve në vijim e nuk ka dyshim se tanket do të luajnë rol kyç në këto beteja, të paktën sipas vlerësimeve të ekspertëve.
Ndërkaq, pas dy ditësh do të mbahet samiti Ukrainë-Bashkimi Europian. Kryeministri ukrainas, Denys Shmygal informoi:
Samiti Ukrainë-BE do të mbahet në Kiev më 3 shkurt. Kjo ngjarje është jashtëzakonisht e rëndësishme për synimin e Ukrainës që të anëtarësohet në bllokun europian. Fakti që ky samit do të zhvillohet në Kiev është një sinjal i fuqishëm si për partnerët, ashtu edhe për armiqtë.
Bashkimi Europian ende nuk ka dhënë detaje se kush do të marrë pjesë në këtë samit. Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi nisjen e pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022 e vazhdimisht forcat e tij kanë sulmuar infrastrukturën civile, përfshirë kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Shmygal shtoi:
Fakti që ky samit i profilit të lartë do të mbahet në kohën kur po vazhdon lufta është dëshmi për Rusinë se përpjekjet e saj për të ndjellë mosmarrëveshje midis aleatëve perëndimorë të Kievit dhe për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në BE kanë qenë të kota.