I pasur në burime, por veriu i Shqipërisë mbetet ndër zonat më të varfëra/Ritme të ulëta zhvillimi!

vovalbania February 05, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
I pasur në burime, por veriu i Shqipërisë mbetet ndër zonat më të varfëra/Ritme të ulëta zhvillimi!

Zona malore në veri vazhdon të ketë ritme të ulëta zhvillimi krahasuar me pjesën tjetër të vendit. Edhe pse me shumë burime në fushën e energjetikës, pyje, minerale e vlera turistike, kjo zonë vlerësohet si ndër më të varfërat. Komunitetet lokale nuk arrijnë të përfitojnë thuajse asgjë nga shfrytëzimi që i bëhet pasurive natyrore në territorin e bashkive respektive. Në Bashkinë Vau i Dejës, në Qarkun e Shkodrës, gjenden hidrocentrale që mbulojnë me energji elektrike një pjesë të madhe të territorit e megjithatë, nga shfrytëzimi i kësaj pasurie ujore, komuniteti atje, thuajse nuk përfiton gjë. Kryebashkiaku Mark Babani:

Bashkia Vau Dejës është një pikë e rëndësishme në prodhimin e energjisë elektrike, sepse nuk kemi vetëm dy hidrocentrale, por kemi Komanin, Vaun e Dejës, Ashtën 1 dhe Ashtën 2. Gjithashtu dy hidrocentrale të vegjël që po bëhen në zonën e Vig-Mnelës. Të them të drejtën, të ardhurat prej hidrocentraleve janë të vogla, po të thuash nuk ndikojnë absolutisht në ekonominë e bashkisë Vau Dejës.

Sipas Institutit të Statistikave, qarqet Kukës e Dibër kanë normat më të larta të varfërisë në Shqipëri. Për shkak të kësaj situate, mbështeten me ndihmë ekonomike 18 mijë e 88 familje të varfëra. Ato vazhdojnë të kenë nivel të lartë të migracionit të brendshëm. Vetëm gjatë vitit 2021, nga të dy këto qarqe u larguan 5 mijë e 487 persona. Qarku i Kukësit ku përfshihen bashkitë Kukës, Has e Tropojë është një nga zonat më të pasura me minerale e burime ujore, që shfrytëzohen nga kompani private, por komunitetet lokale vazhdojnë të mos përfitojnë gjë prej tyre. Rifat Demalija, drejtuesi i Qendrës për Progres Rinor në Kukës:

Vetëm Bashkia Kukës ka diku 34 kompani minerare, të cilat marrin të ardhura të konsiderueshme përmes investimit që kanë kryer në miniera, sikurse janë edhe 18 hidrocentrale të ndërtuar përgjatë lumenjve e rrjedhave ujore në rrethin e Kukësit. Por, fatkeqësisht, Kukësi vazhdon të mbetet rrethi dhe qarku më i varfër në Shqipëri për shkak se kompanitë që kanë investuar, thjesht kanë shfrytëzuar natyrën, burimet, por nuk është kthyer asgjë në këmbim për komunitetin.

Në më të shumtën e rasteve, kompanitë private shfrytëzojnë pa kriter dhe jashtë kontrollit pasuritë natyrore të kësaj zone, duke dëmtuar infrastrukturën rrugore e mjedisin natyror, me pasoja për jetesën e komuniteteve lokale. Janë të vazhdueshme protestat e banorëve të fshatrave të Mirditës, Dibrës dhe Tropojës për marrjen e burimeve të ujit nga ndërtimi i HEC-eve apo protestat e banorëve të Postribës, në Shkodër, për ndotjen e burimeve të ujit të pijshëm nga guroret. Sipas Demalisë, pjesa më e madhe e kompanive, nuk përmbushin detyrimin ligjor për ta kthyer mjedisin në gjendjen fillestare.

Kompanitë duhet të derdhin një taksë në qeverisjen vendore, që është diku te 400 mijë lekë për megavat apo 500 mijë lekë për shfrytëzim minerali për km2, të cilat, sigurisht, mund të mblidhen nga qeverisja vendore. Por, në fakt, këto nuk shkojnë te banorët e zonave ku kompanitë shfrytëzojnë burimet natyrore. Këtë e them me bindje sepse shikojmë zona të pazhvilluara, me rrugë të degraduara, me shkolla në gjendje të mjerueshme, pa qendra shëndetësore, mungesë ujësjellësash.

Sipas kryetarit të bashkisë Vau Dejës, Mark Babani, në vend që të shtohen detyrimet ligjore të kompanive për të kontribuar nga fitimet e tyre në ekonominë e komuniteteve lokale, këto detyrime po zvogëlohen gjithnjë e më shumë.

Me një vendim qeverie janë hequr taksat mbi ndërtimin dhe mbi truallin e hidrocentraleve. Nuk merret më prej bashkisë, kështu që bashkia nuk ka përfitime prej hidrocentraleve.

Ecuria ekonomike e qarqeve veriore të Shqipërisë, dëshmon shfrytëzimin pa kriter të burimeve natyrore, përdorimi i të cilave nuk i çon të ardhura qytetit dhe as komuniteteve lokale. Ky është edhe një nga shkaqet, që zona veriore e Shqipërisë vazhdon të ketë ritmet më të ulëta të zhvillimit dhe treguesit më të lartë të largimit të banorëve, kryesisht të rinjve. Sipas “Vjetarit Rajonal Statistikor-2022”, publikuar nga INSTAT, 4 qarqet veriore: Shkodra, Lezha, Kukësi e Dibra, regjistrojnë 10 mijë e 839 persona të larguar nga 42 mijë e 500 të larguar në shkallë vendi. /Zëri i Amerikës

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65812 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE