Ukraina “nuk do ta sulmojë tokën ruse” me raketat e reja
Ukraina nuk do të përdorë armë me rreze të gjatë për të sulmuar territorin rus, ka thënë ministri ukrainas i Mbrojtjes, Olekseii Reznikov.
Ai ka thënë se ushtarët ukrainas do t’i përdorin këto armë, që pritet t’ua dërgojnë Shtetet e Bashkuara, vetëm për të shënjestruar njësitet ruse në territoret e pushtuara ukrainase.
Shtetet e Bashkuara e kanë konfirmuar të premten se në pakon e re ushtarake në vlerë të 2.1 miliardë dollarëve, do të përfshihen raketa që do t’i dyfishojnë aftësitë e Ukrainës për të goditur shënjestrat.
“Ne u kemi thënë gjithmonë partnerëve tanë se nuk do t’i përdorim armët e tyre për të goditur territorin rus. Ne do të godasim njësitet ruse që kanë pushtuar përkohësisht territorin e Ukrainës”, u ka thënë Reznikov gazetarëve në një konferencë për media.
Të dielën ka pasur raportime për luftime të ashpra në Bahmut, qytet në lindje të Ukrainës, për kontrollin e të cilit ushtritë janë duke luftuar që disa muaj.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më 3 shkurt se forcat ukrainase do të luftojnë për Bahmutin “aq sa të munden”.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë javën e kaluar se Rusia ka bërë avancime të vogla në tentimet për të rrethuar Bahmutin.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.