Kosova pranoi propozimin europian, Shtetet e Bashkuara përshëndesin vendimin!
Shtetet e Bashkuara përshëndetën vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin europian për normalizimin e raporteve me Serbinë. Sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, “marrëveshja e përkohshme” sjell përfitime për Prishtinën dhe Beogradin.
SHBA-të janë të inkurajuar e mirëpresin vendimin e Kosovës që në parim të pranojë propozimin e BE-së. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga Unioni. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë.
Dje pas një takimi me të dërguarin e Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “pranon propozimin e bllokut europian”.
Këtë propozim e konsideroj një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe platformë solide për të ecur përpara.
Vitin e kaluar, BE-ja u ka dorëzuar Kosovës e Serbisë propozimin, që njihet edhe si propozimi franko-gjerman. Dokumenti nuk është bërë publik. Por, nga mediat mësohet se parashikon të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore e një rregullim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për të cilat insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë. Por, theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve europiane.
Zyrtarët serbë kanë thënë se pranojnë propozimin e BE-së dhe janë të gatshëm ta zbatojnë. Së fundmi, SHBA-të dhe BE-ja kanë intensifikuar angazhimin që të shtyjnë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve. Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së, proces që ka mbështetjen e SHBA-ve prej vitit 2011.
Ky proces synon normalizimin e plotë të raporteve, përmes një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme. Por, palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përfundimit të negociatave. Kosova kërkon që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, por për Serbinë njohja është “vijë e kuqe” dhe Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.