Mbi 5 mijë viktima nga tërmeti në Turqi e Siri, mbi 23 milion të prekur!

vovalbania February 07, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mbi 5 mijë viktima nga tërmeti në Turqi e Siri, mbi 23 milion të prekur!

Pas tërmetit, presidenti Recep Tayyip Erdogan shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Turqi, për tre muaj. Kjo gjendja do të jetë në dhjetë qytetet e prekura: Gaziantep, Kahramanmarash, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanlëurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilis. Shpallja e saj vjen në kohën kur në Turqi e Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme.

Deri tani, janë mbi 5 mijë viktima, shumica në Turqi ku u rrëzuan rreth 5 mijë e 800 objekte e numërohen mbi 20 mijë të lënduar. Po sot, Erdogan bëri të ditur se për momentin, 70 shtete kanë ofruar ndihmë për të kërkuar të mbijetuar.

Pasi Shqipëria njoftoi se iu bashkua përpjekjeve për të ndihmuar Turqinë në lehtësimin e pasojave të tragjedisë, aty mbërriti skuadra e dërguar nga shteti shqiptar. Misioni përbëhet nga pjesëtarë të Forcave të Armatosura e Agjencisë së Mbrojtjes Civile. Në përbërje të tij janë 53 vetë, personel mjekësor e specialistë të kërkim-shpëtimit.

Operacionet e kërkim-shpëtimit pengohen nga temperaturat e ulëta e nga afro 200 dridhje toke, duke bërë të rrezikshme kërkimet në strukturat e paqëndrueshme. Në Hajat, 1.500 ndërtesa u shkatërruan e shumë persona raportohet se kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja, pa ndihmë dhe pa praninë e ekipeve të kërkim-shpëtimit. Në këtë provincë, mijëra persona janë strehuar në qendra sportive apo dyqane, ndërsa të tjerë u detyruan ta kalojnë natën jashtë.

Shteti turk planifikon të hapë hotelet në zonën e Antalias për të strehuar njerëzit e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Më herët gjatë ditës, qeveria turke tha se mbi 13 milion persona brenda vendit janë prekur nga tërmetet e fuqishëm. Disa nga rrugët ende nuk janë të aksesueshme dhe ekipet po punojnë që të hapen për qarkullim. Disa rajone kanë mbetur pa ujë. Sipas OBSH, në total bashkë me Sirinë janë prekur deri në 23 milion vetë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF shpreh frikën se nga tërmetet në Turqi dhe Siri mund të jenë vrarë mijëra fëmijë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65794 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE