“Kjo është ‘dasma’ e Luizit…” A do të hynte Xhesika Polo në “BBV”?!
Xhesika Polo ka qenë mëngjesin e sotëm e ftuar në studion e “Wake Up”, për të komentuar më shumë mbi lojën e tezes së saj, Valbona Memës, por edhe shumë të pathëna të tjera. Xhesika ka treguar dhe banorin e saj më pak të preferuar, por edhe atë që mendon se do të marrë çmimin e madh…
A ka ndonjë nga banorët që i ka rezultuar ndryshe nga sa ajo mendonte në fillim?
Kam pasur shumë pritshmëri nga Amos. E mendova si potencial fituesi. Duke pasur një imazh të këtij djali edhe nga mënyra se si është rritur, mendoja se do të sillte diçka. Jam zgjenjyer shumë, ai e humbi veten nuk e mbajti dot presionin. Po të isha në vend të tij do kisha dalë vetë. Nuk do e zhysja veten më shumë.
Nga ana tjetër, si e sheh ajo Luizin si konkurrent dhe a njiheshin ata më parë duke qenë se ndajnë të dy të njëjtin profesion?
E njoh Luizin. Kam pasur kontakt pasi unë kam kënduar shumë në Shkodër. Në lokalin ku performoja unë ka ardhur dhe Luizi si i ftuar dhe kemi kënduar dhe bashkë. Është i njëjti njeri siç është dhe jashtë, ka qejf që të ketë gjithmonë cirk. Pavarësisht se nuk jam gjithmonë dakord me të, përdor disa armë të panevojshme, por kjo është loja e tij. Ai të njëjtën prerje ka dhe jashtë. E dija që në momentin kur Bona hyri aty brenda, që Luizi do t’i qëndronte pranë.
Do e provonte Xhesika vetë këtë eksperiencë si “Big Brother VIP”?
Patjetër që po. Po të më kishit pyetur para disa viteve do të thoja jo. Sot, si një vajzë që është sprovuar shumë, është rrahur me realitetin e artit shqiptar, do të hyja. Jam më e përgatitur. Por nuk do e provoja këtë vit. Do të doja të hyja shumë e qetë, pa u sjellë në një mënyrë të caktuar që t’i pëlqejë dikujt. Do të doja që ta kisha terrenin pak më të qetë. Është si të bëhet një dasmë, të martohet nusja dhe dhëndrri dhe të vijë një person komplet tjetër që të thjotë: “Kjo është dasma ime”. Dhe kjo është dasma e Luizit… Nëse shkoj do shkoj që të fitoj.
Po për sa i përket karrierës së Xhesikës, a ka ajo ndonjë plan për të publikuar këngë të re së shpejti?
Po. Në mes të këtij muaji të ftohtë e të trishtë do të nxjerr një këngë të re.