Ministri gjerman i Mbrojtjes: Ukrainës do t’i jepen mbi 100 tanke Leopard 1
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka bërë një vizitë të papritur në Kiev, ku ka njoftuar se Ukraina do të marrë më shumë se 100 tanke luftarake të tipit më të vjetër Leopard 1, nga vendi i tij dhe disa vende evropiane.
Numri i tankeve është i mjaftueshëm për t’i pajisur të paktën tri batalione, tha ministri, pa përmendur se cilat vende përveç Gjermanisë do të dërgojnë tanke Leopard 1, që pritet të arrijnë në Ukrainë në tremujorin e parë të 2024.
Pistorius, i cili mori detyrën e ministrit të Mbrojtjes një muaj më parë, u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ministrin e Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, gjatë vizitës së tij në Kiev.
“Faleminderit kolegut tim Boris Pistorius dhe popullit gjerman. Koalicioni i tankeve po marshon… drejt fitores!”, shkroi Reznikov në Twitter.
Tanket Leopard 1 nuk janë aq të avancuar sa tanket Leopard 2, që Gjermania dhe vendet e tjera u zotuan t’i dërgojnë Ukrainës muajin e kaluar, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës ranë dakord të dërgonin në Kiev tanket e tyre M1 Abrams.
I prezantuar për herë të parë në shërbim në vitet 1960, Leopard 1 është paraardhësi i Leopard 2, i cili është i vendosur gjerësisht në ushtritë e të gjithë Evropës.
Tanku Leopard 2 konsiderohet si një nga më të mirët në vendet perëndimore dhe rreth 20 vende aktualisht përdorin këtë tank.
Ukraina ka kërkuar 300 tanke të tilla dhe thotë se Perëndimi deri më tani ka premtuar se do t’ia dërgojë të paktën 120.
Rusia – që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022 – ka më shumë tanke sesa Ukraina, por modelet që Moska ka janë shumë inferiore krahasuar me tanket perëndimore.