Mbi 16 mijë viktima nga tërmeti në Turqi e Siri/Presidenti Erdogan “kapet” me menaxherët e rrjeteve sociale!
Numri i viktimave pas tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë ka kaluar shifrën 16 mijë, sipas raportimeve zyrtare të publikuara sot, ndërsa kërkimet vazhdojnë për të gjetur të mbijetuar në të ftohtin e madh. Rreth 13 mijë njerëz gjetën vdekjen në Turqi dhe mbi 3 mijë në Siri, sipas autoriteteve e burimeve mjekësore, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në më shumë se 16 mijë.
Ndërkohë, tre ditë pas tërmetit, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po përballet me kritikat e atyre që akuzojnë qeverinë për keqpërdorimin e emergjencës. Në një udhëtim në zonat e goditura, Erdogan u detyrua të pranonte se kishte probleme në fazat e hershme të përpjekjeve të ndihmës.
Por, përpara banorëve të provincës së Hatajit, një nga më të goditurat me mbi 3 mijë e 300 viktima dhe që u ankuan për vonesën e automjeteve të urgjencës, Erdogan u justifikua duke thënë:
Nuk është e mundur të përgatitemi për një fatkeqësi të tillë. Njerëz të pandershëm përhapin gënjeshtra e shpifje për reagimin e qeverisë ndaj emergjencës. Mes tyre janë edhe disa menaxherë të llogarive sociale të arrestuar për “postimet provokuese” lidhur me tërmetin.
Qeveria ka vendosur të luftojë dezinformimin në internet dhe grupi NetBlocks, i cili monitoron ndërprerjet e internetit, aludon se Ankaraja zyrtare qëndron pas bllokimit të Twitter-it që ndodhi dje në pjesën më të madhe të vendit.
Situata mbetet shumë e rëndë edhe në Siri, ku ka viktima në zonat e kontrolluara nga qeveria e al-Assadit e në ato ku drejtojnë forcat opozitare. Në këto të fundit, ndihma humanitare shkon me vështirësi, për shkak të pengesave përgjatë pikave kufitare që lidhin vendin me Turqinë.
Edhe pse Helmetat e Bardha njoftuan hapjen e vendkalimeve Bab al-Hawa, Jarabulus e Bab al-Salamah, OKB-ja njoftoi se në realitet, kjo nuk ka ndodhur. Kamionët me ndihma mbetën në kufi. Aktivistët dhe kritikët akuzuan qeverinë siriane për ngadalësimin e qëllimshëm të shpërndarjes së ndihmave.
Al-Assad kërkoi ndihmë nga Bashkimi Europian e fillimisht, Unioni do të ndajë 3.5 milion euro. E gjithë paketa për vendet e prekura nga tërmeti është 6.5 milion euro. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi një konferencë donatorësh në fillim të marsit në Bruksel.