Rusia përshkallëzon sulmet në Ukrainë, Kharkivi në shënjestër!
Dy javë para se të mbushet një vit nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, raportohet se sot, forcat ruse goditën infrastrukturën e rëndësishme në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Po ashtu, ndërmorën sulme të shumta në infrastrukturën energjetike në Zaporizhja, pikërisht në kohën kur Moska po i shton sulmet në jug e në lindje të territorit ukrainas.
Sirenat dhe alarmet e sulmeve ajrore shpërthyen në pjesën më të madhe të Ukrainës. Sekretari i Këshillit Bashkiak të Zaporizhjas, Anatolii Kurtiev iu tha mediave se qyteti u godit 17 herë në një orë. Sipas tij, kjo ishte shkalla më e lartë e sulmeve që nga fillimi i pushtimit nga Rusia më 24 shkurt të vitit 2022.
Në Kharkiv, autoritetet po përpiqen të sigurojnë informacione mbi numrin e viktimave, si dhe nivelin e shkatërrimit, me kryebashkiakun Ihor Terekhov i cili paralajmëroi se mund të ketë ndërprerje në ngrohje, në furnizim me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
Analistët ushtarakë thonë se presidenti rus Vladimir Putin shpreson se mbështetja e Europës për Ukrainën do të pakësohet, pasi besohet se Rusia po përgatit një ofensivë të re. Luftimet në Ukrainë u intensifikuan që një ditë më parë.
Agjencia e Inteligjencës Ushtarake e Kievit deklaroi se forcat ruse kanë nisur një ofensivë në rajonet pjesërisht të pushtuara të Donjeckut e Luhanskut, me synim kontrollin e plotë të të gjithë rajonit industrial, të njohur si Donbas.
Separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar me forcat ukrainase atje që nga viti 2014. Në kuadër të një turi europian që për arsye sigurie u mbajt i fshehtë deri në minutat e fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dje qëndroi në Bruksel. Nga kryeqendra europiane, ai kërkoi armë më të avancuara nga aleatët europianë. Në fjalimin e mbajtur në Parlamentin Europian, u shpreh se vendi i tij po lufton “kundër forcës më të madhe anti-europiane të botës moderne”.