SPAK kërkon 13 vite burg për kunatin e Rezart Taçit e 12 për shoferin!
SPAK kërkoi dënimin me 13 vite burg për Artur Ballën dhe 12 vjet heqje lirie për Bledar Lilon, pasi organizuan skenën komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, me qëllim “pastrimin” e një shume monetare prej 18.4 milion eurosh. Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme kërkoi konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të kësaj shume, të sekuestruar më herët nga SPAK.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Balla për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 13 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Artur Balla me 8 vjet e 8 muaj burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Lilo për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Bledar Lilo me 8 vjet burgim.
Gjithashtu është kërkuar konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i shumës monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën Alpha, Tiranë, të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme. Çështja penale në ngarkim të të pandehurit Rezart Taçi është ndarë gjatë fazës së seancës paraprake dhe do të gjykohet si çështje penale më vete, për shkak se ky i pandehur është në mungesë dhe duhet të kryhen proçedurat e nevojshme të parashikuara në Kodin e Proçedurës Penale për të pandehurit që gjykohen në mungesë.
Rezart Taçi, Artur Balla e Bledar Lilo, në bashkëpunim me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, organizuan një skemë komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme çka përbën produkt të veprimtarisë kriminale.