Nis protesta e opozitës: Të largojmë Edi Ramën
Opozita shqiptare po zhvillon një protestë para Kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit e shumtë janë mbledhur para bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku edhe është ngritur stenda nga ku flasin përfaqësues të opozitës. Kryefjala e protestës është largimi i Kryeministrit Rama, i cili së fundmi është akuzuar për lidhjet e tij me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal.
I pari prej përfaqësusve politikë që mori fjalën ishte Belind Këlliçi, i cili është edhe kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës për zgjedhjet e 14 majit.
“Tirana na ka mbledhur të gjithëve, na ka bashkuar për të kundërshtuar njëzëri të gjitha padrejtësitë që i bëhen vendit tonë nga kjo godinë. Këtu është strumbullari i të gjitha të këqijave, i të gjitha aferave që i kanë marrë arkës sonë të përbashkët miliarda euro. Para që iu morën fermerëve, minatorëve, naftëtarëve, spitaleve, shkollave, kopshteve dhe çerdheve. Para që u vodhën me asfalt elektoral, farsa rindërtimi dhe me inceneratorë imagjinarë”, tha Këlliçi.
“Një pyetje kam: Kush e ka parë kryeministrin? Ku është VIP-i? Po këtë që do varte tek palmat e kryeministrisë, zarin e tij në Bashkinë Tiranë, a e ka parë njeri këto ditë? Ish-zëvendësi i tij është kapur. S’ka ku e luan tani. Nëse drejtësia e ka çarkun e madh, edhe tigri bie në çark”.