Protesta e opozitës, mijëra qytetarë nga rrethet, Berisha: Shqipëria po marshon drejt Tiranës!
Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga protesta e opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përfituar që të bëjë një tjetër thirrje për qytetarët, që këta të fundit të marrin pjesë.
Në një reagim në ‘Facebook’ Berisha thekson se Shqipëria marshon sot drejt Tiranës.
“Shqipëria po marshon drejt Tiranës!
Tirana vërshon sot në rrugët dhe sheshet e saj! Rroftë Revolucioni Demokratik! #sb”, shkruan Berisha.
Kujtojmë se protesta pritet të nisë në orën 12:00.
Qytetarët nga rrethet janë nisur drejt kryeqytetit që në orët e para të mëngjesit për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga Sali Berisha.
Rreth 2000 qytetarë nga Kukësi priten të vijnë në Tiranë nga Kukësi për protestën e thirrur nga opozita. Qytetaret kuksianë dhe mbështetësit e PD-së janë nisur me autobusë dhe me makina personale drejt Tiranës. Kreu i PD në Kukës, Admir Sinamati tha se “Kukësi, si një bastion i përhershëm i palëkundëshëm i PD do i bashkohet kësaj proteste për t’i dhënë mbështetjen PD-së për demokracinë dhe pluralizimin”.
Po kështu rreth 1560 simpatizantë të Partisë Demokratike nga qarku i Korçës do t’i bashkohen sot protestës së thirrur nga Sali Berisha. Nisjet janë bërë prej orës 6:00 të mëngjesit të sotëm ndërsa organizimi ka qenë jo me autobusë apo furgonë, për shkak të frikës ndaj policisë për ndalim të mjeteve apo masave administrative. Sipas informacioneve nisja është bërë në pjesën më të madhe me mjete private. Nga komunikimi me drejtuesit e degëve është kërkuar që detajet e nisjes të mbahen të fshehta për të mos pasur probleme.
Rreth 2000 demokratë dhe qytetarë durrsakë pritet gjithashtu të marrin pjesë në protestën e mesditës së sotme, të thirrur nga kreu i PD, Sali Berisha. Lajmin e konfirmon kreu i PD-së lokale, Dritan Burgija. Nisja do të bëhet e organizuar nga pika të ndryshme të qytetit, përfshirë dhe 5 njësitë vendore të Bashkisë Durrës. Protestuesit do të udhëtojnë drejt kryeqytetit me mjete personale dhe autobusë që janë vënë në dispozicion për ta.