Pas protestës së djeshme, Berisha rikujton tubimin nesër te Kuvendi i Shqipërisë!
Një ditë pas protestës, kryetari demokrat Sali Berisha rikujton tubimin e pasdites së nesërme para Kuvendit të Shqipërisë, në orën 17:00.
Revolucioni na fton! Nesër, 13 shkurt ora 17.00, të gjithë para Parlamentit!
Po sot, në rrjetet sociale, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zgjodhi të ndajë një pjesë të fjalës së tij nga protesta.
Populli nuk do të lejojë më kurrë, që zyra e Kryeministrit të prodhojë vetëm mjerim, që shpopullon vendin dhe dëbon qindra mijëra shqiptarë dhe sidomos të rinjtë dhe fëmijët nga Atdheu i tyre.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi se pas protestës së opozitës janë proceduar tre persona:
Gjatë monitorimeve, rreth orës 12:15, në afërsi të dy kullave, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një shtetas të veshur me uniformë policie me logo e stema të vjetra, e cila nuk përdoret aktualisht nga shërbimet e Policisë.
Në momentin e ndalimit për verifikim nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ka paraqitur një dokument të vjetër Policie, të dyshuar të falsifikuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati, shtetasin G. H., 21 vjeç, banues në Durrës dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore u procedua penalisht, në gjendje të lirë, për veprat penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjithashtu, janë shoqëruar e proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit G. A., 30 vjeç dhe E. Gj., 45 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Vijon puna për evidentimin e personave të tjerë që kanë hedhur lëndë piroteknike në drejtim të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Përfaqësues të PD-së kërkuan lirimin e protestuesve të shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr.1 dhe 2 në kryeqytet. Deputeti Oerd Bylykbashi:
Askush nuk mund t’i ndalojë protestuesit shqiptarë që të kërkojnë të drejtën e tyre më themelore që me votë të rrëzojnë një qeveri e cila i vjedh. Protestuesit dhanë një shembull të jashtëzakonshëm. Edi Rama nuk mund të përdorë represionin policor apo drejtësinë e kontrolluar prej tij që tremb shqiptarët.