Rreth 41 mijë viktima nga tërmeti në Turqi e Siri/Pas 177 orëve nën rrënoja shpëton një 26-vjeçare!
Rreth 41 mijë persona kanë humbur jetën nga tërmetet e 6 shkurtit në Turqi dhe Siri ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara mes dy vendeve fqinje. Shpresat për të mbijetuar zbehen, por mrekullitë ndodhin.
Afro 32 mijë vetë kanë humbur jetën në shtetin turk e më shumë se 9 mijë në Siri, vend që për shkak të luftës mbi 10-vjeçare kontrollet nga forcat qeveritare e ato rebele të opozitës. Pjesa më e madhe e viktimave janë në këto të fundit, referuar të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH.
Tërmetet e së hënës me magnitudë 7.8 dhe 7.6 të shkallës Rihter e me epiqendër në provincën Kahramanmaras, prekën disa vende në rajon, përfshirë Sirinë.
“Më shumë se 233 mijë pjesëtarë të ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit po punojnë aktualisht në terren”, – tha autoriteti turk i menaxhimit të fatkeqësive, AFAD.
Sipas agjencisë, afro 148 mijë njerëz u evakuuan nga rajonet e goditura nga tërmeti deri më tani. Një ekip specialistësh nga Shqipëria i është bashkuar përpjekjeve në terren.
Ndërkohë, vazhdon të ketë raste që po cilësohen “mrekulli”. Eshtë shpëtuar nga rrënojat në rajonin e Antakyas, në qytetin Hatay, 26-vjeçarja Derya Akdogan, 177 orë pas tërmeteve me qendër në Kahramanmaras.
Në qytetin Hatay vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit pas tërmeteve që prekën 10 qytete në rajonet e Mesdheut Juglindor dhe Anadollin Lindor.
Ekipet kanë kryer përpjekjet e kërkim-shpëtimit në ndërtesën Korkmaz në rrugën “Mimar Sinan” të lagjes Cebrail në rajonin qendror Antakya. Ekipet intensifikuan punimet e tyre pas dëgjimit të zërit nga rrënojat. Si rezultat i punimeve 26-vjeçarja Derya Akdogan u nxor nga rrënojat 177 orë pas tërmetit dhe më pas u dërgua në spital.