SHBA apel qytetarëve amerikanë: Ikni menjëherë nga Rusia!
Lufta në Ukrainë është në ditën e 355-të e fokusi është te Bakhmuti, qytet strategjik që muajt e fundit u kthye në epiqendëe të luftimeve. Grupi i mercenarëve rusë Wagner, pretendon se ka kontrollin e Krasna Horës në veri të Bakhmutit. Për inteligjencën britanike “dy javët e fundit, ndoshta Rusia ka pësuar numrin më të madh të viktimave që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, rreth një vit më parë”. Britania e Madhe nuk ka dyshime se Irani ka dërguar dronë në Rusi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kërkon zgjerim të sanksioneve globale ndaj industrisë bërthamore të Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Në fjalimin e radhës, kreu i shtetit deklaroi:
Ka një tjetër hap të sanksioneve të shtetit tonë kundër industrisë bërthamore të shtetit terrorist. Me dekretin tim zbatova vendimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes për vendosjen e sanksioneve ndaj 200 personave që punojnë për industrinë bërthamore të Rusisë.
Saktësohet se mes tyre janë 199 rusë dhe një ukrainas, Yuriy Chernichuk, zv.kryeinxhinieri i termocentralit bërthamor Zaporizhzhia.
Në një tjetër zhvillim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë drejtuar qytetarëve amerikanë me apelin për t’u “larguar menjëherë nga Rusia”.
Ambasada e Uashingtonit në Moskë u kërkoi qytetarëve amerikanë që të largohen me urgjencë nga shteti rus. Në një deklaratë theksohet:
Qytetarët amerikanë që banojnë ose udhëtojnë në Rusi duhet të largohen menjëherë! Po ashtu duhet të tregoni kujdes më të madh për shkak të rrezikut nga ndalimi i paligjshëm prej autoriteteve ruse.
E ndërsa lufta vazhdon prej 24 shkurtit të vitit të kaluar, Polonia vend kufitar me Ukrainën thotë se pa ndihmën ushtarake për Kievin zyrtar, shefi i Kremlinit, Vladimir Putin mund të fitojë. Në një intervistë për francezen Le Figaro e të raportuar nga presidenca polake, presidenti i Polonisë Andrzej Duda u shpreh:
Nëse Ukraina nuk merr urgjentisht armë nga aleatët e saj perëndimorë, në javët e ardhshme, rusët mund ta fitojnë luftën.