Futbolli në zi, Christian Atsu gjendet i vdekur nën rrënojat e tërmetit në Turqi!
Futbollisti Christian Atsu u gjet i pajetë nën gërmadha, rreth dy javë nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë. Lajmin e konfirmoi agjenti i tij. 31-vjeçari nga Gana i cili ka luajtur edhe në Premier League me skuadrat Everton, Chelsea e Newcastle, rezultonte i humbur prej 6 shkurtit kur lëkundja e orëve të para të mëngjesit shkaktoi shembjen e godinës ku gjendej apartamenti i tij në Antakya të Hatay-t. Klubi i tij Hatayspor shkruan:
Nuk ka fjalë për të përshkruar trishtimin. Nuk do të të harrojmë Atsu! Prehu në paqe, njeri i mirë!
Në orët e para pas tërmetit, Hatayspor pati raportuar se Atsu shpëtoi me disa lëndime, por një ditë më pas, ndryshoi njoftim.
Agjenti i tij, Nana Sechere, i cili gjendet në Hatay e konfirmoi lajmin sot në mëngjes, duke shkruar:
Ky është lajmi më i rëndë që më duhet të njoftoj për të gjitha dashamirësit. Për fat të keq, trupi i pajetë i Christian Atsu-së u gjet mëngjesin e sotëm. Ngushëllimet më të sinqerta familjes e të afërmve! Po shfrytëzoj rastin të falënderoj gjithësecilin për lutjet e mbështetjen!
Federata e Futbollit të Ganës tha se “trupi i Atsu-së u gjet sot, pas rreth dy javësh torturë emocionale”.
Pas një sezoni me skuadrën saudite Al-Raed, në shtator të vitit të kaluar, Christian Atsu iu bashkua ekipit turk Hatayspor. Tërmeti i magnitudës 7.8 i shkallës Rihter dhe aktiviteti sizmik që pasoi ka vrarë më shumë se 41 mijë persona në jug të Turqisë e në veri të Sirisë, pjesa më e madhe në territorin turk. Në terren vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit e madje pas 296 orëve nën gërmadha u shpëtuan tre persona në territorin turk, raste që tani përbëjnë mrekulli.