Temperatura mbi 20 gradë Celsius, meteorologia Lajda Porja zbulon se çfarë do të ndodhë me motin këtë javë
Pas të ftohtit të acartë dhe reshjeve të shiut e dëborës, moti prej disa ditësh ka marrë kthesë dhe duket se pranvera po vjen më shpejt nga se i takon.
Meteorologia, Lajda Porja, bën me dije se moti gjatë gjithë javës do të jetë i ngrohte me temperatura që do shkojnë mbi 20 gradë në fundjavë.
Po ashtu Porja shprehet se në zonat veriore në fundjavë mund të ketë edhe reshje të paka shiu.
“Kjo javë ka nisur me kushte të qëndrueshme atmosferike madje edhe me rritje të temperaturave në vijimësi nga fundjave kemi patur rritje të ndjeshme edhe në orët e para të mëngjesit.
Në zonat malore termometri është ngjitur 1-5 gradë dhe ndërkohë nga 8-11 gradë bregdeti dhe zonat e ulëta. Maksimalja është regjistruar në Sarandë me 16 gradë.
Sa i përket ditëve në vijim, që nga e marta deri të premten do të ketë rritje të lehtë graduale. Java do të jetë tipike pranverore me temperaturat që do shkojnë deri në 19 gradë celcius.
Vranësirat do të jenë të pranishme, por nuk pritet të ketë reshje.
Fundjava do të sjellë rritje akoma më të ndjeshme të temperaturave, por një masë me origjinë oqeanike do të vendoset në territorin shqiptar duke rritur mundësinë për reshje, sidomos në zonat veriore, kryesisht ditën e dielë.
Fundjava do të regjistrojë temperatura edhe mbi 20 gradë celcius.
Parametri i erës nuk do të jetë problematik gjatë javës, kryesisht në fundjavë presim një erë më të fuqishme,” tha Lajda.