Atentati famëkeq ndaj biznesmenit vlonjat, Klodiana Lala zbulon detajet: Si u ekzekutua Birçaj dhe kush e shoqëronte në makinë

vovalbania April 19, 2023 0 koment 7 Mund të lexoni në minuta.
Atentati famëkeq ndaj biznesmenit vlonjat, Klodiana Lala zbulon detajet: Si u ekzekutua Birçaj dhe kush e shoqëronte në makinë

Emisioni “Në Shënjestër” në News24, i gazetares Klodiana Lala, ka sjellë sot detaje të reja nga vrasja e biznesmenit vlonjat, Bledar Birçaj, ngjarje e ndodhur më 10 maj 2021.

I riu u ekzekutua në makinë ndërsa ndodhej së bashku me dy miqtë e tij, njëri prej të cilëve efektiv policie.

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, Birçaj njihej në Vlorë si biznesmen. Ai ishte duke ndërtuar një hotel katër katesh në zonën e Ujit të Ftohtë në qytet, por ndërkohë ishte edhe pronar i lokalit të njohur ‘The Boss’.

Pikërisht nga ky lokal, i cili ndodhet në ish-kompleksin ‘Oslo’, viktima doli me dy miqtë e tij pasi kishte konsumuar një kafe, mesditën kur ra pre e breshërisë së gjatë të plumbave.

Më 10 maj 2021, ndërsa trupi i tij dergjej në tavolinën e kirurgjisë, mjekët konstatuan bashkë me trupin e tij të pajetë edhe një armë zjarri të tipit pistoletë.

I ndjeri mbante pistoletën me vete, kudo që lëvizte si një truprojë që do ta mbronte nga kush e di se kush.

Por ndërsa 38-vjeçari, mendonte se i kishte marrë të gjithë masat e duhura për t’i krijuar vetes një mbrojtje që të paktën do t’i shpëtonte jetën. E kundërta ndodhi, pasi atë nuk e shpëtoi dot as pistoleta që mbante në brez, por as miqtë e tij që ndodheshin në momentin e atentatit me të në makinë.

Madje as fakti që njëri prej tyre kishte qenë dikur një efektiv policie në radhët e bluve të Vlorës, qyteti ku Birçe ushtronte aktivitetin e tij të paligjshëm.

Po ku duket se ishte përzier në punë të mëdha në trafikimin e lëndëve narkotike, edhe jashtë Shqipërisë, e deri në Amerikën e largët të Jugut, çka thuhet se solli edhe fundin e tij, një fund që siç thamë erdhi në mesditën e 10 majit e vitit 2021.

Vetëm pak minuta pasi Bledar Birçaj kishte konsumuar një kafe në një nga lagjet e qytetit të Vlorës, bashkë me dy miq të tij, të cilët iu bashkuan në mjetin e tij tip BMW për të bërë një xhiro me makinë, ndërpre në mes nga breshëria e gjatë e plumbave të dala nga një armë kallashnikov.

“Ngjarja ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Bledar Birçaj, i datëlindjes 17 Janar 1983 ndodhi në orën 12.59, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, pranë karburantit të Esat Spahos. Persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip BMË model X5 me targë AB 797 CS, në pronësi të viktimës”, thuhet në dosjen hetimore.

Vrazhdësia me të cilën makina e drejtuar nga Birçaj, u qëllua si edhe saktësia, duke goditur vetëm mbi objektivin dhe jo mbi udhëtarët e tjerë në automjet. Kjo tregon asgjë më shumë përveç faktit që qitësit ishin profesionistë dhe se kishin informacion të plotë për lëvizjet e viktimës.

Vetë grupi hetues gjatë mbikqyrjes së vendit të ngjarjes, gjeti 29 gëzhoja, ndërsa automjeti rezultoi se u shpua 24 herë nga plumbat. Nga 24 plumbat, 7 plumba prej tyre dyshohet se i morën jetën Bledar Birçajt.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan 29 gëzhoja model 56, kalibri 7.62 mm, kurse në automjet u evidentuan 24 vrima të shpimit me armë zjarri. Në Spitalin Rajonal Vlorë në sallën e operacionit viktimës iu gjet në brez një armë zjarri e tipit pistoletë Bereta, kalibër 9 mm me krehrin e vendosur në armë”, thuhet në dosjen hetimore.

Dosja hetimore tregon se Bledar Birçaj, lëvizte i armatosur, sikurse edhe ditën e fundit, kur ra në pritën e atyre që ishin armiqtë e tij.

Por kush ishte Bledar Birçaj dhe pse ai ishte kaq i rëndësishëm për armiqtë e tij, deri aty sa të mendonin eliminimin e tij?

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, Birçaj, njihej në Vlorë, si biznesmen.
Ai ishte duke ndërtuar një objekt hotel katër katësh, në zonën e Ujit të Ftohtë, në qytet, por ndërkohë ai ishte edhe pronar i lokalit të njohur ‘The Boss’, i cili ndodhet në ish-kompleksin ‘Oslo’.

Lokali nga ku doli me dy shoqëruesit e tij, pasi kishte konsumuar një kafe me ta, edhe mesditën kur ra pre e breshërisë së gjatë të plumbave. Itinerar i cili është përcaktuar edhe nga grupi hetues, por edhe nga kamerat e sigurisë, të cilat kanë dokumentuar të gjithë lëvizjen e makinës tip BMW X5 me targa të huaja, me të cilën Birçaj lëvizte.

Makina që u qëllua vetëm pak minuta sapo mori unazën e qytetit, pranë një pike të furnizimit me karburant, sipas grupit hetues nga dy persona të armatosur.

“Makina me viktimën, Bledar Birçaj, ka kryer itinerarin e lëvizjes nga bar ‘The Boss’, më pas në unazën e qytetit. Te vendi i quajtur karburant ‘Bolv Oil’, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, makina është qëlluar me armë zjarri nga dy persona të cilët më pas janë larguar”, thuhet në dosjen hetimore.

Pra siç shihet edhe nga lëvizja e makinës së Bledar Birçaj, autorët ishin të informuar mbi faktin që ai do të dilte nga lokali I tij.

Mendohet që një person i tretë që mund të ketë qenë në brendësi të lokalit, apo jashtë tij, të ketë informuar grupin e qitësve mbi lëvizjet e fundit të shënjestrës së tyre.

Dinamikë e cila përforcohet edhe më shumë nga lëvizjet që ka kryer makina e vrasësve, të cilët, siç rezulton, nuk e kanë ndjekur gjahun e tyre që në momentin që ai dalë nga lokali në pronësi të tij, por e kanë pritur në vendin ku edhe ndodhi krimi.

“Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se autorët kanë përdorur një automjet Mercedez Benz C-Class, me ngjyrë gri me disqe alumini në formë ylli, me baxha lart, me xhama të zinj dhe me targa AB 647 AN, të cilat rezultojnë të vjedhura në qytetin e Fierit. Itinerari i lëvizjes së makinës së autorëve është nga vendngjarja, rrugës për në fshatin Kaninë dhe nga aty janë futur në pjesën e Bypass për të dalë te varrezat e qytetit dhe më pas në fshatin Risili”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas grupit hetues, gjurmët e fundit të makinës së autorëve të vrasjes së Bledar Birçaj, përfundojnë në vendin e quajtur Bishti I Malit në fshatin Armen, të Vlorës, aty ku janë pikasur nga një tjetër kamera sigurie të një subjekti privat. Atentatorët mbanin maska në fytyrë kishin llogaritur gjithçka.

Ata e kanë parkuar makinën e tyre fillimisht në krah të pikës së karburantit, aty ku mendonin se ishte vendi më i mirë për t’i zënë pritë viktimës së tyre.

Vetëm pak sekonda më pas, pasi kanë marrë informacionin se makina me Birçaj po afrohet pranë vendit ku ata ndodheshin, ata shikohet teksa dalin nga automjeti i tyre dhe i afrohen makinës së shënjestrës, që tashmë ishte vetëm pak hapa larg tyre. Ndërkohë, një makinë tjetër përpara asaj të viktimës, duket sikur e ndalon të shtojë shpejtësinë.

Autorët pasi kanë dalë nga makina fillojnë të hapin zjarr pa reshtur. Me të përfunduar sulmi i parë me armë, njëri prej autorëve futet në makinë, ndërsa autori i dytë vendos të lërë në tokë armën kallashnikov dhe të nxjerrë nga brezi armën pistoletë.

Pikërisht në këtë moment, një person i dytë hap derën e pasme të automjetit të drejtuar nga Birçaj dhe tenton të dalë nga aty, çka bëri që autori i mbetur jashtë makinës së vrasësve të fusë me nxitim në brez pistoletën dhe në panik e sipër të tërheqë armën kallashnikov që kishte lënë në tokë.

Personi i cili hapi derën e pasme të automjetit të viktimës, rezultoi të ishte një oficer aktiv policie, i identifikuar si Granit Deromemaj. Ai shërbente në sektorin e antidrogës në Drejtorinë Vendore të Policisë së Vlorës. Në bazë të verifikimeve të kryera, ai nuk ishte personi i vetëm në makinë, bashkë me të, në makinë me Bledar Birçaj, në momentin e atentatit, ndodhej edhe shtetasi Edison Zenelaj. Ky i fundit një personazh me rekorde penale. Deromemaj u shkarkua menjëherë nga radhët e policisë me urdhër në atë kohë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu, me motivimin se shoqërimi i tij me persona me precedentë penalë ul reputacionin e policisë.

Deromemaj, në shpjegimin e tij para kolegëve të policisë, tha se me viktimën, Bledar Birçaj, njihej që në vogëli dhe se nuk kishte njohuri për aktivitetin e tij kriminal.

“Unë viktimën Bledar Birçaj, e njoh që nga fëmijëria. Ditën e ngjarjes unë isha në kafe me të. Pasi mbaruam kafenë vendosëm të bëjmë një xhiro me makinë, kur edhe ramë pre e atentatit”, shprehet Granit Deromemaj.

Në momentin e atentatit, thuhet se Deromemaj ishte i armatosur, por ai nuk e përdori në asnjë moment armën e shërbimit për t’u mbrojtur. Pavarësisht shpjegimit të tij se me viktimën njihej nga fëmijëria dhe nuk kishte informacion për aktivitetin e tij të paligjshëm, kjo e nuk e shpëtoi atë nga përjashtimi në radhët e policisë së Shtetit.

Ashtu si polici Deromemaj dhe pasagjeri tjetër në automjet, Edison Zenelaj, tha se e vetmja gjë që mund të bënin në atë moment ishte të përkuleshin dhe t’u shpëtonin plumbave që po vërshonin drejt tyre.

“Në lidhje me ngjarjen u pyetën në cilësinë e personave që po udhëtonin në automjet me viktimën në momentin e sulmit me armë, punonjësi i policisë Granit Deromemaj dhe shtetasi Edison Zenelaj. Ata sqaruan se pranë karburant ‘Bolv Oil’ kanë parë që t’i afrohen mjetit me të cilin ata udhëtonin, dy persona të maskuar me kapuç, të cilët mbanin në duar armë zjarri automatik dhe pasi dëgjuan të shtënat thonë se përkulën për t’u vetëmbrojtur”, thuhet në dosjen hetimore.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65242 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE