Saimir Sula erdhi pa zemër nga Barcelona, reagojnë pas dy vitesh autoritetet spanjolle: Ndodhet në spital, ejani merreni! Ja pse ja kanë hequr
Autoritet spanjolle, u kanë kthyer përgjigje prokurorisë Shqiptare duke konfirmuar se janë të gatshme të kthejnë në vendlindje zemrën e Saimir Sulës, një shqiptari që dy vite më parë mbeti i vdekur në një spital të Barcelonës.
Në total janë 10 detyra që pala shqiptare u kërkonte homologëve Spanjollë, për të kryer në dobi të hetimit që është rregjistruar në prokurorinë e Tiranës.
Përmes dërgimit të një letërporosie, e cila mban përgjigje të 10 pyetjeve të realizuara gati dy vite më parë nga prokuroria e Tiranës, Spanjollët kanë konfirmuar se zemra e pacientit të vdekur Saimir Sula, ndodhet në ambjentet laboratorike të spitalit “Hospital Del Mar”.
Gazetari Elton Qyno mëson se spanjollët argumentojnë se zemra e pacientit Sula është hequr me qëllim realizimin e autopsisë fillestare dhe një autopsie më të thelluar që kërkon kohën e nevojshme për daljen e një konkluzjoni shkencor, i cili përcakton dhe shkaqet e vdekjes së Saimir Sulës.
Por pavarësisht se zemra e Sulës ndodhet në ambjentet e spitalit në Barcelonë dhe Spanjollët kanë dhënë pëlqimin për transferimin e saj në Shqipëri, në përgjigjen e tyre ata nuk japin një datë ekzakte të transferimit të organit biologjik në Shqipëri.
Kjo pasi transportimi i zemrës, do kërkonte një mjet teknologjik që do e mbante atë të paprekur në kushtet atmosferike të jashtme.
Me mbëritjen e zemrës në Shqipëri, prokuroria shqiptare do kërkojë analizën e ADN-së mes familjarëve të Saimir Sulës, me qëllim vërtetësimin e plotë nëse zemra i përket pacientit Sula ose jo.
Një analizë të tillë, spanjollët nuk e kanë realizuar deri në këtë fazë, ndaj edhe familjarët e Sulës kanë refuzuar ta bëjnë privatisht transferimin drejt Shqipërisë.
Sula ndërroi jetë në vitin 2020 në Barcelonë. Por megjithëse trupi i tij u transportua në Shqipëri, familjarët e të ndjerit pikasën diçka të çuditshme në trupin e tij.
Për këtë dyshim, para se të zhvillonin ceremoninë ne varrimit familjarët kërkuan kryerjen e një ekspertize në institutin e mjekësisë-ligjore.
Mjekët e këtij institucioni, konstatuan se Saimir Sulës, i mungonte zema, ç’ka solli nisjen e hetimeve për dyshim të mundshëm të organeve biologjike.
Hetimet nisën për “Trafikim organesh” dhe për dy vite janë duke kryer një sërë veprimesh hetimore dhe koorrespodenca me drejtësinë spanjolle.