Zjarre dhe stuhi, Italia drejt emergjencës në 5 rajone/Ndryshimet e klimës “gjunjëzojnë” vendin fqinj!
Italia duket e shkatërruar nga pasojat e ndryshimeve të klimës. Zjarre dhe përmbytje si rezultat i stuhive, vendi fqinj po shkon drejt shpalljes së gjendjes së emergjencës në pesë rajone mes motit të keq që goditi Lombardinë dhe flakëve që nuk njohin fre në Siçili nga Palermo në Katania e deri në Taormina. Raportohen pesë viktima nga moti ekstrem. U dha alarm i verdhë për mot të keq në Abruzzo, Emilia Romagna, Lombardi, Marche e Molise.
Sa i përket zjarreve, bilancit të 24 orëve të fundit i shtohet fakti që janë gati 2 mijë persona të zhvendosur. Vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme do të merret sot. Po ashtu, po përgatitet një dekret në lidhje me klimën. Qytetet me të kuqe për shkak të vapës janë ulur në dy: janë Bari e Catania.
Qindra telefonata bëhen vazhdimisht në numrin e urgjencës 095484000 e që funksionon 24 orë në ditë në qendrën komunale të operacioneve të mbrojtjes civile të Katanias. Qytetarët kërkojnë ndihmë e informacione të ndryshme, mbi të gjitha lidhur me mungesën e energjisë elektrike e ujit, si dhe për t’u vendosur në kontakt me shërbime sociale e spitalore.
Flakët dëmtuan një zonë shërbimi Eni të Tindarit, në autostradën Palermo-Messina (A-20). Zjarri dogji pjesën e freskimit dhe ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur shmangien e më të keqes, duke bërë të sigurta pompat e furnizimit me karburant.
Një zjarr i madh po djeg rezervatin natyror Pergusa, në provincën Enna. Banorët e zonës dolën nga shtëpitë si një masë paraprake.
Një tjetër zjarr shpërtheu pranë autostradës Palermo-Catania në Ponte Cinque Archi. Trafiku devijoi me vendim të autoriteteve italiane.
Në Siçili, Mbrojtja Civile dhe zjarrfikësit janë në punë pa pushim. Vala e jashtëzakonshme e të nxehtit, veçanërisht ka gjunjëzuar Siçilinë e Palermon. Ndërkohë, vazhdojnë problemet në linjën Catania-Messina, e mbyllur në disa vende për shkak të zjarreve.