Të dehur në timon! Droga dhe alkooli, shkak për aksidente!
Rritja e temperaturave dhe festa të ndryshme të organizuara në këto ditë pushimi rrisin përdorimin e alkoolit dhe të drograve, kryesisht mes të rinjve.
Këta persona nuk ngurojnë që nën efektin e drogës apo të alkoolit të drejtojnë edhe makinën duke u bërë kështu potencial për aksidente. Pak kohë më parë një vajzë e re në kryeqytet nën efektin e drogës u përplas me 4 makina të parkuara duke rrezikuar edhe kalimtarët.
Për të shmangur ngjarje të tilla prej muajsh policia e Tiranës kryen kontrolle me pajisjen Aquilascan të drejtuesve që kryejnë veprime agresive në rrugë. Vetëm në Tiranë numërohen rreth 100 persona të arrestuar nën efektin e drogës.
“Ka një trend në përdorimit të drogës së llojeve të ndryshme nga drejtuesit e mjeteve“, tregon shefi i komisariatit rrugor Tiranë, Besmir Qibini.
Për të luftuar fenomenin, policia ushtron kontrolle jo vetëm në orët e mbrëmjes por edhe gjatë paradites. Po aq shqetësues është edhe numri i personave të dehur në timon. Çdo javë policia arreston persona, të cilët drejtojnë makinën nën efektin e alkoolit.
“Për personat të cilët përdorin alkool, i sugjeroj që të mos drejtojnë makinën por të përdorin mjete alternative dhe të gjithë përdoruesit e rrugës të respektojnë të gjitha sinjalistikat e parashikuara nga kodi rrugor”, thotë Qibini.