Të huajt blejnë një në tre shtëpi/ Të parët anglezët, polakët, dhe skandinavët; më e preferuar, Saranda
Ndërtimi dhe aktivitetet e pasurisë së paluajtshme vazhdojnë të jenë lokomotiva e ekonomisë, gjë që u konfirmua dhe në rritjen ekonomike të tremujorit të parë.
Tashmë ky sektor po ndihmohet edhe nga bumi turistik që po përjeton vendi. Përveç turistëve, në vend janë rritur me 58% edhe vizitat profesionale dhe për biznes. Shumë prej tyre po investojnë në pasuri të paluajtshme në vendin tonë.
Në raportimin në Kuvend, drejtuesi i DRPP u shpreh se në 2022 pronat e blera nga të huajt u rritën me 24%.
“2884 kanë qenë për 2022, pra 24% më shumë se në 2021. Pra rreth 3000 persona kanë blerë pasuri të palujtshme në Republikën e Shqipërisë, që po t’i marrës si vlerë mesatarisht i bie që të vijnë 450-500 mln euro në vend” – tha Ervin Koçi.
Ekspertët e agjencisë imobiliare shprehen se trendi vijon edhe përgjatë këtij viti me rimte më të shpejta.
“Dy vitet e fundit kemi edhe një shtim shumë të madh të vendeve skandinave, ku mbi 90% e shitjeve në Sarandë janë për të huajt. Po të flasim pastaj për bregdetine Vlorës të rinjtë janë shtuar. Nëse i shohim të gjitha këto kullat që po popullohen, kanë kërkesë kryesisht nga të huajt që po përqëndrojnë biznesin në Tiranë. Ata janë shumë të gatshëm të përqafojnë kontratën që i lejon të paguajnë pronën me këstë, gjë që në vendet e huaja nuk lejohet.”– tha Erion Alimema.
Ndërkohë edhe kredia për blerje banesash vijon të mbajë ritme të larta. Banka e Shqipërisë bën me dije se ishin rreth 24.3 miliardë lekë kredi e re disbursuar për individët në gjashtëmujorin e parë, vetëm 70 milionë lekë më pak, se e njëjta periudhë vitin e kaluar.