Zjarr në Kalivaç, digjen 5 ha shkurre, vreshta e pemë frutore!
Vazhdon puna për shuarjen e plotë të një zjarri në Kalivaç. Në këtë fshat të Njësisë Administrative Ungrej të Lezhës, flakët ranë pasditen e djeshme dhe bëhet e ditur se deri tani janë djegur 5 ha me shkurre, vreshta e pemë frutore. Po ashtu u rrezikuan 5 banesa. Ndërhyrja e zjarrfikësve shmangu djegien e tyre pasi arritën të izolonin zjarrin teksa punohet që të shuhet plotësisht.
Kryeministri Edi Rama apeloi sërish që prokurorët e gjyqtarët të zbatojnë rreptësisht ligjin në rastet e zjarrvënies. Në rrjetet sociale, një ditë më parë kryeministri ndau momente nga arrestimi i një tjetër zjarrvënësi, i kapur në flagrancë nga policia.
Shefi i qeverisë kujtoi se ligji parashikon deri në 15 vjet burg për rastet e zjarrvënies.
Një tjetër zjarrvënës i arrestuar në flagrancë nga Policia e Shtetit dhe një tjetër arsye për ta përsëritur apelin ndaj prokurorëve e gjykatësve në rrethe, që të zbatojnë me përgjegjshmëri ligjin, i cili parashikon deri në 15 vjet burg për këtë soj kriminelësh.
Zjarret janë bërë të zakonshme duke u kthyer në një sh në këtë periudhë të vitit në vendin tonë. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se për ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme falë masave ajrore relativisht të thata.
Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare deri të dendura kryesisht në veri e në qendër, përgjatë relieveve kodrinore-malore.
Në mesditë do të kemi prezente reshje të dobëta shiu në mënyrë të izoluar në majat e maleve në veri e lokalisht në perëndim të territorit. Më pas, gjatë orëve në vazhdim, sërish mot i kthjellët.
Era do të fryjë me drejtim jugperëndim-juglindje e me shpejtësi mesatare 1-8 m/s ndërsa përgjatë vijës bregdetare e në lugina, era fiton shpejtësi deri 12 m/s. Valëzimi në dete do të jetë i forcës 2-3 ballë.