Akuzat në Uashington, Trump: Nuk kam bërë gjë të gabuar!
Telashet nuk kanë të sosur për Donald Trump-in. Për ish-presidentin amerikan që dje u përball me gjykatën në Uashington, është çështja e tretë penale këtë vit, por e para që përpiqet ta mbajë penalisht përgjegjës për përpjekjet për të qëndruar në pushtet.
Trump ka thënë se nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe akuzon Prokurorin e Posaçëm, Jack Smith se po përpiqet të pengojë shanset e tij për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Në Uashington shkoi dje rreth orës 15:00, pasi fluturoi nga Nju Xhersi me avion privat. Autokolona e tij kaloi në rrugët e mbushura me njerëz.
Prokurori Smith e akuzon për krime të lidhura me përpjekjet e tij për të zhbërë humbjen në presidencialet e 2020-ës, në prag të trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitol, duke përfshirë konspiracion për të mashtruar qeverinë amerikane e komplot për të penguar një procedurë zyrtare. Akuzat mund të çojnë në disa vite burg, nëse dënohet.
Smith ishte në sallën e gjyqit dhe u ul në rreshtin e parë, pas prokurorëve që trajtonin çështjen. Tre oficerë policie që atë ditë mbronin Kapitolin u panë duke hyrë në gjykatë. Njëri prej tyre, Harry Dunn, tha:
Gjithçka kam kërkuar që nga dita e parë është përgjegjësia dhe drejtësia për burrat dhe gratë e zbatimit të ligjit që luftuan me guxim më 6 janar. Do të gënjeja nëse nuk do ta pranoja habinë time me lajmin e aktakuzës sot të një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara. Unë jam i bindur se sistemi ynë ligjor do ta trajtojë këtë çështje siç duhet.
Ish-presidenti republikan ishte i vetmi i akuzuar në këtë rast, megjithëse prokurorët iu referuan gjashtë bashkëpunëtorëve të paidentifikuar, kryesisht avokatë, që ata thonë se komplotuan me të.
Kjo është çështja e tretë penale e ngritur kundër ish-presidentit Trump në më pak se 6 muaj.
Në Nju Jork u akuzua për falsifikimin e të dhënave të biznesit në lidhje me një pagesë të fshehtë ndaj një aktoreje të filmave porno gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Zyra e prokurorit Smith e akuzon për 40 akuza për krime në Florida, për mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Palm Beach, Mar-a-Lago, si dhe refuzimin e kërkesave të qeverisë për t’i kthyer. Ai është deklaruar i pafajshëm në të dyja rastet, që do të gjykohen vitin e ardhshëm.
Pritet që në javët e ardhshme, edhe prokurorët në kontenë Fulton të Xhorxhias të shpallin vendimet e akuzës në një hetim mbi përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve në atë shtet.
Avokati i Trump-it, John Lauro ka pohuar se veprimet e ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë mbrohen nga e drejta e Amendamentit të Parë për fjalën e lirë dhe se ai u mbështet në këshillat e avokatëve. Pa prova, Trump hodhi akuza se ekipi i prokurorit Smith po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Gjyqi u kryesua nga gjykatësja Moxila Upadyaha. Por në vijim, çështja do të kryesohet nga gjykatësja e qarkut amerikan, Tanya Chutkan, një e emëruar e ish-presidentit Barack Obama, e njohur si një nga ndëshkueset më të ashpra të sulmuesve të Kapitolit.