Lëvizte i armatosur me pistoletë, arrestohet 36-vjeçari në Tiranë!
Në Tiranë arrestohet një 36-vjeçar, i cili lëvizte i armatosur, ndërsa 9 vite më parë ishte ndaluar për kanosje me armë. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Klienti”, në prangat e bluve të kryeqytetit ra Gloris Nezaj, i akuzuar për armëmbajtje pa leje. Atij iu sekuestruan një pistoletë dhe municion luftarak. Arrestimi u bë në një lokal në rrugën “Isuf Elezi” të Tiranës.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Klienti”. Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Vihet në pranga poseduesi.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën “Isuf Elezi”, në një lokal, ndodhej një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Klienti”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi G. N., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve luftarake dhe i municionit”. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit 36-vjeçarit, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.