Programi buxhetor 2024-2026, qeveria pret rritje ekonomike 3.9%, inflacioni 3% në fund të vitit
Ekonomia e vendit do të rritet mesatarisht me 3.9 për qind deri në 2026-n, ndërsa inflacioni do të bjerë në nivelin 3 për qind deri në fund të këtij viti. Janë këto parashikimet optimiste të qeverisë në Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026.
Po sa realiste janë këto pritshmëri në kushtet që kriza e çmimeve vijon të ndihet e fortë, ndërsa rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit ishte vetëm 2.72 për qind?
E kemi theksuar edhe më parë që ekonomia shqiptare është sezonale dhe është problematike pasi nuk arrin të ofrojë një rritje afatgjatë. Fut këtu largimin e burimeve njerëzore, kjo sjell probleme afatgjata thonë ekspertët.
Në dokumentin e publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare qeveria angazhohet që për tre vitet e ardhshme të shtojë vëmendjen veçanërisht në drejtim të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, truizmit dhe sipërmarrjes.
“Një ndër fushat kryesore që Shqipëria duhet të angazhohet, bazuar edhe te angazhimet e Bashkimit Europian dhe Bankës Botërore, veç bujqësisë duhet mbështetur edhe digjitalizimi. Vetëm kështu mund të kemi një ekonomi 12-mujore dhe jo më vetëm 3 apo 4 mujore.”
Për ekspertët vëmendje të veçantë në këtë periudhë duhet të marrë edhe mbrojtja sociale dhe vlerësimi i krahut të punës.
“Siç e ka thënë edhe Bashkimi Europian duhen stimuj mbi atë që individi ofron brenda vitit 2024 duhet edhe një tjetër indeksim për popullsinë.”
Bazuar Programin Buxhetor Afatmesëm, për tre vitet e ardhshëm, qeveria pret që ekonomia e vendit të bazohet kryesisht te kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet.