Kina publikon dokumentar mbi aftësinë e ushtrisë për të sulmuar Tajvanin!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![Kina publikon dokumentar mbi aftësinë e ushtrisë për të sulmuar Tajvanin!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2023/08//kina-publikon-dokumentar-mbi-aftesine-e-ushtrise-per-te-sulmuar-tajvanin.jpg)
Kina publikoi një dokumentar të ri lidhur me gatishmërinë e ushtrisë kineze për të sulmuar Tajvanin. Aty shfaqen ushtarët duke bërë betimin për të dhënë jetën e tyre, nëse është e nevojshme. Kjo në kohën kur Pekini zyrtar vazhdon që të ashpërsojë retorikën ndaj ishullit vetëqeverisës.
“Ndjekja e ëndrrave”, një dokumentar me tetë pjesë u transmetua nga televizioni shtetëror CCTV, për të shënuar 96-vjetorin e krijimit të Ushtrisë Popullore Çlirimtare. Pjesë e tij ishin dhe stërvitjet ushtarake e dëshmitë e dhjetëra ushtarëve, disa prej të cilëve shprehën vullnetin e tyre për të dhënë jetën, në një sulm të mundshëm kundër Tajvanit.
Kina pretendon se Tajvani, një demokraci vetëqeverisëse është pjesë e territorit të saj e do të pushtohet edhe me forcë, në rast nevoje. Media shtetërore dhe ushtria kineze shpesh publikojnë materiale propaganduese, duke shfaqur modernizimin e ushtrisë, si dhe stërvitjet ushtarake.
Këto materiale përdoren për të rritur nacionalizmin kinez e për të shfaqur besimin e ushtrisë kundër Tajvanit, si dhe në mënyrë të veçantë, raportet e ishullit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-të nuk e njohin Tajvanin si shtet sovran, por janë zotuar se do ta ndihmojnë ishullin që të mbrojë veten në rast të një pushtimi.
Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi për një paketë të ndihmës ushtarake për Tajvanin në vlerë 345 milion dollarë. Pekini reagoi duke kritikuar vendimin amerikan.
Ndër të tjera, dokumentari “Ndjekja e Ëndrrave” shfaqi dhe stërvitjet ushtarake të quajtura “Shpata e Përbashkët”, në të cilat u simuluan goditjet preçize ndaj Tajvanit. Këto stërvitje u zhvilluan në muajin prill rreth ishullit vetëqeverisës, pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në dokumentar janë shfaqur dhe tri anijembajtëse kineze duke lundruar me disa luftanije të tjera. Muajt e fundit, ushtria kineze ka dërguar luftanije në Ngushticën e Tajvanit dhe që shihen si kërcënim ndaj Tajvanit.
Po ashtu, ushtria ka kaluar vijën ndarëse në këtë ngushticë e zonën informale të demarkacionit mes dy shteteve, shpesh për të kundërshtuar ndërveprimet mes Tajvanit e SHBA-ve.