Kultivim cannabis-i e pushtim i hapësirave në plazhin e Krorëzës/Dy në pranga!

vovalbania August 09, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kultivim cannabis-i e pushtim i hapësirave në plazhin e Krorëzës/Dy në pranga!

Dy të arrestuar, një në kërkim e dy të proceduar në gjendje të lirë për kultivim e shitje të cannabis-it, si dhe zaptim të hapësirave publike në plazhin e Krorëzës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive dhe për rritjen e parametrave të sigurisë përgjatë sezonit turistik 2023, kanë siguruar informacione se në 3 lokale në plazhin e Krorëzës, kryheshin veprimtari të kundërligjshme. Bazuar në këto informacione, është ndjekur një hetim disaditor, me metoda speciale në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, si rezultat i të cilit është finalizuar operacioni policor i koduar “All in”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit A.N., 28 vjeç dhe E.I., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë; u shpall në kërkim shtetasi K.V., 28 vjeç, banues në Himarë dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Th.M., 19 vjeç, banues në fshatin Piqeras dhe F.K., 25 vjeç, banues në Himarë.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasit A.N. dhe K.V., si dhe shtetasi E. I., kishin përshtatur 2 lokalet në pronësi të tyre, në plazhin e Krorëzës, për veprimtaritë kriminale të kultivimit dhe shitjes së cannabis sativës e se kishin pushtuar hapësirë publike, për të vënë çadra dhe shezlongë, pa autorizim. Gjatë kontrollit të ambienteve të këtyre lokaleve dhe të territoreve përreth, u gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa e ndarë në vazo dhe në qese, si dhe një sasi municioni luftarak e 89 bimë narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu, për këtë rast u procedua në gjendje të lirë për moskallëzim të krimit, shtetasi Th.M., kamerier. Më tej, lënda narkotike, municioni luftarak, çadrat dhe shezlongët u sekuestruan në cilësinë e provës materialet, ndërsa bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Në vijim të këtij operacioni, u konstatua se për llogari të një lokali tjetër, gjithashtu në plazhin e Krorëzës, ishte pushtuar hapësirë publike, me qëllim vënien e çadrave dhe shezlongëve, pa autorizim. Për këtë rast, u procedua penalisht administratori i këtij lokali, shtetasi F.K., si dhe u sekuestruan çadrat dhe shezlongët.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65736 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE