Mbi 10,000 njerëz në Korenë e Jugut janë evakuuar për shkak të tajfunit Hanun
Më shumë se 10 mijë njerëz u detyruan të evakuojnë shtëpitë e tyre si masë paraprake ndërsa qindra fluturime dhe shërbime treni u anuluan në Busan, një qytet në jug të Koresë së Jugut për shkak të tajfunit Hanun.
E shoqëruar nga shirat e dendur dhe erërat e forta, stuhia përfshiu Japoninë përpara se të lëvizte drejt pjesës jugore të gadishullit korean. Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, nuk ka pasur raportime për viktima deri më tani.
Kryeministri Han Duk-soo, u bëri thirrje autoriteteve lokale të sigurojnë evakuimin e të gjithë banorëve nga zonat me rrezik të lartë. Ministria e Brendshme e Koresë së Jugut u bëri thirrje banorëve që “të shmangin udhëtimet deri në fund të tajfunit”.
Qyteti i Busanit u godit nga erëra të forta me shpejtësi 145 km/h. Shumë dyqane dhe kafene u mbyllën. Shirat e dendur kanë goditur kryeqytetin Seul. Të paktën 330 fluturime janë anuluar deri më tani, ndërsa shërbimet detare dhe hekurudhore janë ndërprerë, thanë autoritetet.