Nuk ka qetësi për Lizzo, dalin të tjera akuza kundër këngëtares!
Pas akuzave për ngacmim seksual nga disa balerina të saj, së fundmi po dalin dhe disa ankesa nga persona të tjerë. Avokatët që përfaqësojnë padinë kundër Lizzo-s, konfirmuan për mediat të mërkurën se ata kanë shqyrtuar dhe verifikuar ankesat nga të paktën gjashtë persona ‘me histori të ngjashme’ që kanë punuar me yllin e muzikës pop.
Avokati Ron Zambrano tregoi se firma e tij ka ekzaminuar balerinët që kanë punuar me artisten në shfaqjen e saj të Amazon Studios, “Lizzo’s Watch Out for the Big Grrrls”. Zambrano theksoi se akuzuesit fillestarë ‘kanë folur me guxim dhe kanë ndarë përvojat e tyre, duke hapur derën që të tjerët të ndihen të fuqizuar për të bërë të njëjtën gjë’.
Disa nga pretendimet që ne po shqyrtojmë mund të jenë të zbatueshme, por është shumë herët për t’u thënë.
Javën e kaluar, Arianna Davis, Crystal Williams dhe Noelle Rodriguez akuzuan këngëtaren e “Good As Hell” për ngacmim seksual. Ato pretenduan se fituesja e “Grammy”-t u bëri presion që të merrnin pjesë në shfaqje seksuale, në lagjen e dritave të kuqe të Amsterdamit, ndërsa ishin në turne në Holandë. Balerinat më pas shtuan se Lizzo i tha të merrnin pjesë në një shfaqje tjetër nudo.
Ndërkaq, pasi u përhap lajmi se Lizzi ishte paditur erdhën edhe reagimet e para nga ndjekësit e këngëtares të cilët i kanë bërë ‘unfollow’ në Instagram. Deri më tani këngëtarja ka humbur mbi 200 mijë adhurues të muzikës së saj.
Pavarësisht këtyre është shtuar edhe një tjetër akuzë. Një yll i Tik Tok nga SHBA e quajtur Brooklyn Elizabeth Brown postoi një video në platformë të premten, duke pretenduar se këngëtarja e hitit “Truth Hurts” kishte një lidhje me ish-të dashurin e saj pasi të dy ata organizuan një shfaqje së bashku.