Pogradec, u kapën duke transportuar 21 emigrantë të paligjshëm/ Dy të arrestuar e dy në kërkim!

vovalbania August 10, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pogradec, u kapën duke transportuar 21 emigrantë të paligjshëm/ Dy të arrestuar e dy në kërkim!

U kapën në Vërdovë të Pogradecit duke transportuar 21 emigrantë të paligjshëm me dy automjete kundrejt pagesave 300-1000 euro, dy në pranga e dy në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Midnight 14”. Të katërt vepronin në mënyrë të organizuar, duke bërë transportin e klandestinëve me dy makina BMW X5 e Tuareg e mbikëqyrur rrugën, për të shmangur patrullat e policisë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Njoftimi zyrtar i policisë: 

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve nga vendet e treta kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt vendeve të BE-së, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 14”.

Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit E.K., 28 vjeç e F.DH., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R.S., 36 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë dhe N.T., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Në afërsi të fshatit Vërdovë, Pogradec, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin E.K., i cili transportonte me një automjet tip “BMW X5”, 7 emigrantë. Gjithashtu, shërbimet konstatuan se shtetasit R.S. dhe N.T. transportonin me një automjet “Tuareg”, që lëvizte pas automjetit të shtetasit E.K., 14 emigrantë.

Sapo janë sinjalizuar për të ndaluar automjetin, të dy këta shtetas e kanë braktisur atë dhe janë larguar me vrap. Vijon puna për kapjen e tyre. Në vijim të këtij operacioni, u kap dhe u vu në pranga edhe shtetasi F.DH., i cili u konstatua teksa qarkullonte me një automjet tip “Volvo”, përpara dy automjeteve të tjera, për të mbikëqyrur rrugën, me qëllim shmangien e patrullave të Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE