Kulla ‘Mali i Tiranës’, Rama shpotit Bashën: Derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me debatin për ndërtimin e godinës 65 katëshe pas Teatrit të Operas dhe Baletit e quajtur “Mali i Tiranës”. Përmes një shkrimi të postuar në faqen e tij të facebook mëngjesin e sotëm kryeministri i quan akuzat për ndërtimin e kullës ikonike, siç e quan ‘kunja të vjetra, gozhda inatesh, vida xhelozish e jargë zilie’
Rama ka dhe një reagim për Sali Berishën, Ilir Metën dhe të tjerët që e kundërshtojnë këtë projekt ‘ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë’.
Nuk ka lënë pa shpotitur as Bashën i cili pak ditë më parë dorëzoi në SPAK kallëzimin penal.
“Fillimisht një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste, u mblodh tek rrethimi i kantierit për të vënë kujën e tij karakteristike të kundërshtisë qorre, duke hedhur pjesën e vet të baltës rreth hurit të mullarit të ri, ku shumë shpejt nxituan të turren plot nga të zakonshmit e këtyre rasteve; ca të pagjumë nga drejtësia e re që po u rrethon trojet e xanuna të jetës së tyre publike pa atdhe, din e iman; ca të vrerosur nga dështimet e njëpasnjëshme të revolucioneve të dhunshme, që i plakën kanal më kanal e portal më portal, po s’erdhën kurrë; ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë, mes të cilëve edhe ndonjë derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jë në hyrje të verës së shkuar, plus ndonjë pinjoll i përcëlluar, si thëngjill ende i pazbuluar në nëntokat e xanuna, po edhe ndonjë tjetër akoma, pa lidhje fare me këta, që i’u turr projektit të kullës, si të ishte hartë e vjetër romake që të çon tek zbulimi i një thesari, krijuar këtë herë nga një konspiracion i madh financiar, me prapavijë konsensuale politike, i cili orkestrohet nga kush tjetër, përveçse nga unë dora vetë, që u hidhkërkam kocka kundërshtarëve nga frika se mos më kafshojnë me gojën e tyre të mosozotshme, ku thuajse s’ka mbetur asnjë dhëmb” shkruan Rama.