Nuk pranoi të dorëzohej, RENEA ekzekuton personin e armatosur në Maliq!
Plagosi familjarët dhe nuk iu dorëzua policisë duke qëlluar vazhdimisht ndaj uniformave blu, RENEA ekzekuton 62-vjeçarin Ramiz Muçollari në shtëpinë e tij, në Qesarakë të Maliqit. Policia e Korçës dhe forcat RENEA kishin rrethuar banesën e këtij personi të armatosur, i cili refuzoi të dorëzohej e thirrjeve të forcave të rendit, iu përgjigjej duke hapur zjarr.
Më herët u njoftua se është fjala për një 62-vjeçar, i identifikuar si shtetasi Ramiz Muçollari e që më herët dëmtoi me mjet presë në këmbë, bashkëshorten Pëllumbesha Muçollari 58 vjeçe e po ashtu goditi me mjet të fortë në kokë djalin e tij, Kamber Muçollari, 27 vjeç. Mësohet se që të dy arritën të largoheshin nga shtëpia dhe u dërguan në spital, fatmirësisht jashtë rreziku për jetën.
Njoftimi zyrtar paraprak:
Pas marrjes së këtij njoftimi, menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar drejt adresës së dhënë, ku kanë konstatuar të mbyllur në banesën e tij autorin e dyshuar i cili është i armatosur me armë zjarri. Shërbimet e Policisë kanë mbajtur të rrethuar banesën dhe kanë marrë masa sigurie, pasi 62-vjeçari ka hapur zjarr në drejtim të Policisë lokale.
Në ndihmë të policisë së Korçës e asaj të Maliqit shkuan forcat speciale “RENEA” që mbajtën të rrethuar zonën e negociuan me 62 vjeçarin që të dorëzohej, por pa rezultat. Referuar deklarimeve paraprake të marra prej familjarëve të tij, dyshohet se Ramiz Muçollari vuante nga probleme të shëndetit mendor.