RENEA në Maliq, një i armatosur nuk pranon të dorëzohet/Plagosi djalin dhe gruan!
Policia e Korçës dhe forcat RENEA kanë rrethuar banesën e një personi të armatosur në fshatin Qesarakë të Maliqit, i cili refuzon të dorëzohet dhe thirrjeve të forcave të rendit, iu përgjigjet duke hapur zjarr. Njoftohet se është fjala për një 62-vjeçar, i identifikuar si shtetasi Ramiz Muçollari e që më herët dëmtoi me mjet presë në këmbë, bashkëshorten Pëllumbesha Muçollari 58 vjeçe e po ashtu goditi me mjet të fortë në kokë djalin e tij, Kamber Muçollari, 27 vjeç.
Mësohet se që të dy arritën të largoheshin nga shtëpia dhe u dërguan në spital, fatmirësisht jashtë rreziku për jetën.
Njoftimi zyrtar:
Pas marrjes së këtij njoftimi, menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar drejt adresës së dhënë, ku kanë konstatuar të mbyllur në banesën e tij autorin e dyshuar i cili është i armatosur me armë zjarri. Shërbimet e Policisë kanë mbajtur të rrethuar banesën dhe kanë marrë masa sigurie, pasi 62-vjeçari ka hapur zjarr në drejtim të Policisë lokale.
Në ndihmë të policisë së Korçës e asaj të Maliqit kanë shkuar forcat speciale “RENEA” që po mbajnë të rrethuar zonën e po negociojnë me 62 vjeçarin që të dorëzohet, por nuk po pranon e vijon të qëllojë me armë zjarri.
Referuar deklarimeve paraprake të marra prej familjarëve të tij, dyshohet se Ramiz Muçollari vuan nga probleme të shëndetit mendor.