Humbën orientimin, Policia Kufitare e Sarandës ndihmon 4 turistë spanjollë!
Policia Kufitare e Sarandës u shkoi në ndihmë katër turistëve spanjollë, të cilët për shkak se nuk njihnin terrenin dhe si rezultat i errësirës humbën orientimin gjatë orëve të natës. Ata kishin mbetur në plazhin e quajtur “Pllakatun”. Pasi u lokalizuan, u transportuan me mjet lundrues dhe u shoqëruan për në vendin ku ishin akomoduar në Sarandë. Sipas policisë, janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi zyrtar:
Humbën orientimin gjatë natës, në plazh, pasi nuk njihnin terrenin, shërbimet e Policisë Kufitare iu shkojnë në ndihmë katër turistëve spanjollë.
Sapo janë njoftuar se katër turistë spanjollë kishin nevojë për ndihmë dhe për orientim, pasi kishin mbetur në plazhin e quajtur “Pllakatun”, sepse ishte errësirë dhe nuk njihnin terrenin, shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në zonën e sinjalizuar.
Katër turistët janë lokalizuar nga shërbimet e Policisë, të cilat i kanë transportuar me mjet lundrues nga deti dhe më pas i kanë shoqëruar në vendin ku ishin akomoduar në Sarandë.
Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar punonjësit e Policisë, për gatishmërinë e treguar si dhe për ndihmën e ofruar.
Shërbimet e Policisë Kufitare ftojnë çdo qytetar/pushues që gjendet në nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit, të kërkojë ndihmë, dhe ndërhyrja nga shërbime të specializuara për secilin rast, do të jetë e menjëhershme.