Nis fluksi në dalje, në portin e Durrësit shtohen pasagjerët që largohen
Numri i atyre që vijnë në Shqipëri për pushime vazhdon të jetë i lartë. Në portin detar të Durrësit kanë hyrë gjatë kësaj fundjave mbi 15 mijë persona dhe afro 5 mijë automjete, ndërsa ka nisur fluksi edhe në kthim. Pas pushimeve një pjesë e emigrantëve dhe turistëve kanë nisur të largohen, ndërsa të tjerë vijojnë të mbërrijnë në portin më të madh të vendit ku punohet me kapacitet të plotë.
Përmes pikës së kalimit kufitar të Durrësit, një ditë më parë dolën nga vendi 4913 udhëtarë dhe 1327 automjete. Edhe pse fluksi ditor në dalje është rritur ndjeshëm në këtë fundjavë, sërish statistikat tregojnë se hyrjet janë më të larta.
Përkundrejt shifrave në dalje, vetëm gjatë ditës së shtunë të njëjtët tragete sollën në vend 7400 persona dhe 2137 automjete. Për të përballuar këtë fluks të lartë shërbimi afrohet në 32 sportele.