Risia më e fundit vjen nga rrjeti social Instagram!
Instagram ka shtuar mundësinë e kombinimit të muzikës me karuselet e fotografive dhe tani përdoruesit mund të editojnë dhe personalizojnë edhe më tutje përmbajtjen e tyre. Funksioni i ri u prezantua zyrtarisht së fundmi dhe përdorimi i parë u bë nga këngëtarja Olivia Rodrigo, e cila promovoi këngën e saj të re “Bad idea right?”.
Përdoruesit tani mund të zgjedhin këngë për të shoqëruar karuselet e fotografive të tyre. Kjo veçori e re tingëllon si diçka e njohur, pasi ekziston në TikTok. Aplikacioni në fjalë i ka lejuar përdoruesit që të shtojnë muzik tek karuselet e fotografive që kur prezantoi për herë të parë modalitetin e “slideshow” shtatorin e vitit të kaluar. Në atë kohë dukej sikur TikTok po imitonte Instagramin, por tani duket se Instagrami u frymëzua nga përshtatja e funksioneve që ky rrjet social i kishte të integruara.
Ndërkaq, rikujtojmë se platforma e mesazheve të Meta, Threads ka marrë disa funksione të reja që e bëjnë më të lehtë përdorimin e shërbimit. Mark Zuckerberg, i cili zotëron platformën e re Threads, njoftoi mbështetjen për veçorinë e ndarjes së postimeve në mesazhet direkte në Instagram. Përveç kësaj, Threads ka marrë gjithashtu tekst alternativ të personalizuar për foto dhe video dhe një buton të ri (@). Opsioni “dërgo në Instagram” i lejon përdoruesit të postojnë përmbajtjen e tyre të Threads direkt në DM të Instagram, përmes butonit “dërgo”.