Të paktën 30 të vdekur nga një shpërthim i madh në Rusi
Të paktën 30 njerëz kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar nga një shpërthim i madh në një pompë të karburanteve në republikën jugore të Rusisë, Dagestan, njoftuan zyrtarët rusë të martën. Ministria e Emergjencave e Rusisë (MER) tha më 15 gusht se 150 njerëz janë lënduar në përgjithësi.
Tre prej të vdekurve ishin fëmijë, tha guvernatori i Dagestanit Sergei Melikov.
Shpërthimi ndodhi të hënën në mbrëmje në periferi të Makhachkala, kryeqytetin e këtij rajoni. Zjarri nisi në një dyqan për rregullimin e automjeteve dhe u shpërnda te pompa e afërt e karburanteve, duke nxitur një shpërthim të madh, raportoi agjencia ruse e lajme, RIA Novosti, duke e cituar MER-in.
Zjarri nga shpërthimi i madh kaploi një hapësirë prej 600 metrave katror, sipas MER-it. Disa prej të lënduarve do të dërgohen me helikopter në Moskë për trajtim mjekësor.
Autoritet ruse e kanë nisur një hetim kriminal ndaj këtij rasti.
Familjet e viktimave do të marrin nga rreth 10 mijë dollarë secila, sipas autoriteteve në Dagestan, ndërsa ato të të lënduarve nga dy deri në katër mijë dollarë.
Dagestani e ka shpallur ditë zie të martën.
Në një vend tjetër në Rusi, në perëndim të Siberisë, një shpërthim tjetër i vrau dy persona dhe i lëndoi pesë të tjerë të hënën mbrëma. Shpërthimi ndodhi në një minierë nafte në rajonin Khanty-Mansiysk, sipas autoriteteve lokale.