Gjithçka që duhet të dini rreth hernies inguinale!
Herniet inguinale mund të shkaktojnë siklet dhe dhimbje gjatë lëvizjeve të caktuara, por gjithashtu mund të jenë kërcënuese për jetën. Hernia, mund të jetë e lindur ose e fituar dhe përfaqëson depërtimin e indit abdominal, me ose pa organe të barkut, në murin e barkut. Te fëmijët vërehet menjëherë pas lindjes, kur bëhet e qartë se disa nga vrimat në murin e barkut nuk janë mbyllur mjaftueshëm. Te të rriturit shfaqet si pasojë e rritjes së menjëhershme dhe të tepruar të presionit në zgavrën e barkut gjatë aktiviteteve të përditshme dhe më të shpeshtat janë ngritja e peshave të rënda, kollitja dhe teshtitja e fortë, por edhe sforcimi gjatë kryerjes së nevojës.
Nuk ka ushtrime që mund ta eliminojnë hernien. Kur bëjmë ushtrime, presioni i fortë i shtyn indet e barkut dhe zorrët përmes hapjeve natyrale dhe i zgjeron ato. Dobësimi dhe degjenerimi, pra përkeqësimi i murit të barkut, janë shkaku për shfaqjen e hernies te të moshuarit. Te meshkujt, është më e zakonshme. Në rrezik janë edhe pacientët pas procedurave të ndryshme kirurgjikale. Një grup i madh herniesh përbëhet nga të ashtuquajturat, herniet postoperative, kur plagët kirurgjikale nuk mbarojnë shërimin.
Faktorët e rrezikut përfshijnë obezitetin, pasivitetin fizik, pirjen e duhanit. Fillimisht duhet të dini se sapo shfaqet një hernie, ajo shtohet çdo ditë dhe nuk ka ushtrime që mund ta eliminojnë atë. Personi fillimisht mund të vërejë një ënjtje më të vogël ose më të madhe në murin e barkut, të ndjejë dhimbje që më së shpeshti shfaqet gjatë ecjes ose qëndrimit në këmbë. Kur diagnostikohet një hernie, ndërhyrja kirurgjikale është e vetmja mënyrë për ta kuruar atë.
Duke qenë se këto procedura kryhen shpesh, ato janë bërë rutinë dhe pacienti nuk duhet të shqetësohet. Operacioni është i përshtatshëm për pacientë të të gjitha moshave. Një ndërhyrje e thjeshtë nën anestezi lokale, e cila quhet “Lichtenstein” dhe zgjat mesatarisht 50 minuta, është sot standardi i artë në kirurgjinë e hernies inguinale. Menjëherë pas ndërhyrjes, pacienti mund të ecë, të konsumojë lëngje dhe ushqim.