Koreja e Veriut pretendon se “diskriminimi racor” e shtyu ushtarin amerikan Travis King të dezertojë!
Travis King dezertoi në Korenë e Veriut për të ikur nga “keqtrajtimi dhe diskriminimi racor në ushtrinë amerikane”. Ky është pretendimi i ngritur nga mediat në vendin komunist e përbën konfirmimin e parë zyrtar të Phenianit se Koreja e Veriut është duke mbajtur King-un. Ai pritej të kthehej në Amerikë, por në vend që ta bënte këtë, u largua nga aeroporti kryesor i Koresë së Jugut, iu bashkua një grupi turistësh drejt Zonës së Çmilitarizuar Koreane dhe kaloi me vrap kufirin duke hyrë në territorin e Koresë së Veriut në korrik.
Shtetet e Bashkuara thanë se King kaloi kufirin në Pjesën e Përbashkët të Sigurisë së Zonës së Çmilitarizuar, e cila e ndan Veriun me Jugun, “pa autorizim dhe me dëshirën e tij”.
King e pranoi se hyri në mënyrë të jashtëligjshme. Travis King tregoi se vendosi të vinte në Republikën Demokratike të Popullit të Koresë së Veriut (DRPK), pasi përjetoi keqtrajtime çnjerëzore e diskriminim racor brenda ushtrisë amerikane. Ai erdhi për t’u mbajtur nën kontrollin e ushtarëve të Ushtrisë së Popullit Korean, pasi kaloi kufirin.
Komanda e Kombeve të Bashkuara që vëzhgon armëpushimin mes dy Koreve, muajin e kaluar konfirmoi se për rastin e ushtarit, nisi bisedimet me Korenë e Veriut.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë komuniste, nuk dha hollësi për shëndetin apo vendndodhjen e King-ut apo se çfarë planifikojnë të bëjnë me të.
Mundësi për propagandë
Fjalët e para të Koresë së Veriut për King-un ishin propagandë e pastër, sipas Soo Kim, udhëheqëse e sektorit të politikave në LMI Consulting dhe ish-analiste e CIA-s.
Kalimi i King-ut në Korenë e Veriut i dha mundësinë regjimit të Kim [Jong Un] në disa mënyra, e para, natyrisht, për bisedime të mundshme me SHBA-të rreth lirimit të tij.
Koreano-veriorët janë negociatorë “vështirë”, ndaj nuk do të jetë e lehtë për Uashingtonin të sigurojë lirimin e tij.
Peniani ka një histori të gjatë të arrestimit të amerikanëve dhe përdorimit të tyre për të bërë pazare në bisedime dy palëshe.