McGonigal pranon fajësinë, punoi për oligarkun rus në shkelje të sanksioneve amerikane!

vovalbania August 16, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
McGonigal pranon fajësinë, punoi për oligarkun rus në shkelje të sanksioneve amerikane!

Para një gjykate në Nju Jork, ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, pranoi se kishte punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska, në shkelje të sanksioneve amerikane. Ish-agjenti i kundërzbulimit të FBI-së e pranoi fajin për një akuzë në këmbim të tërheqjes së akuzave të tjera.

McGonigal, i cili jeton në Nju Jork është akuzuar veçmas në një gjykatë federale në Uashington për fshehjen e të paktën 225 mijë dollarëve, që dyshohet se ka marrë nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar ndërsa punonte për FBI-në.

Në janar, prokurorët e akuzuan ish-agjentin special Charles McGonigal, i cili drejtonte divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork përpara se të dilte në pension në vitin 2018, se ishte paguar fshehurazi nga oligarku rus Deripaska në këmbim të hetimit të një biznesmeni rival. Ai akuzohet se punoi për të hequr sanksionet kundër oligarkut Deripaska në vitin 2019, qëllim që nuk u arrit.

Në atë kohë, ish-agjenti McGonigal nuk e pranoi fajësinë përballë katër akuzave penale, përfshirë akuzat për pastrim të parave dhe shkeljen e sanksioneve.

Në gjykatën federale në Manhattan, një ditë më parë, 55-vjeçari McGonigal tha se ai kishte punuar për oligarkun Deripaska në kohën mes pranverës dhe vjeshtës së vitit 2021 për të gjetur informacione negative për rivalin Vladimir Potanin, në një përpjekje për ta vendosur atë në listën e sanksioneve amerikane.

Ish-agjenti i FBI-së u pagua 17 mijë e 500 dollarë, të transferuara nga Rusia përmes llogarive në Qipro e Nju Xhersi, në një përpjekje për të maskuar burimin e pagesave.

McGonigal i tha gjykatës se ishte “thellësisht i penduar” për veprimet e veta. Pas seancës, avokati i tij, Seth DuCharme, u tha gazetarëve se klienti i tij ishte trajtuar në mënyrë të drejtë.

Akuza për konspiracion parashikon një dënim maksimal prej 5 vitesh burg. Gjyqtarja Jennifer Rearden ka në plan që të shpall dënimin për McGonigal, më 14 dhjetor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65777 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE