Moska nuk po iu shpëton sulmeve, goditet nga një tjetër dron!

vovalbania August 18, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Moska nuk po iu shpëton sulmeve, goditet nga një tjetër dron!

Zyrtarët rusë akuzojnë Ukrainën për një sulm me dron në ndërtesat në Moskë, duke shkaktuar një shpërthim që është dëgjuar në zonën ku ndodhen selitë e disa bizneseve kryesore në kryeqytetin rus.

Kryetari i bashkisë, Sergei Sobyanin u shpreh se mbrojtja ajrore rrëzoi dronin, por mbetjet e tij ranë në Qendrën Expo, një hapësirë e madhe që përdoret për konferenca dhe konventa e ndodhet rreth 5 kilometra larg Kremlinit.

Ky është vetëm një prej sulmeve të regjistruar javët e fundit në Moskë. Në rrjetet sociale qarkulluan foto tymi që ngrihej në qiell.

Ukraina nuk e ka komentuar akuzën ruse, por zyrtarët në Kiev nuk po e pranojnë nisjen e sulmeve me shënjestër kryeqytetin rus.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se pas aktivizimit të sistemeve ajrore për mbrojtje, droni “ndryshoi drejtim”, duke rënë në ndërtesë të pabanueshme në zonën ku gjenden disa ndërtesa qeveritare.

Nuk ka raportime për viktima.

Agjencia ruse e lajmeve TASS, njoftoi se aeroporti Vnukovo në Moskë u mbyll përkohësisht, por më vonë u rihap.

Ndërkaq, Ukraina ka hequr dorë nga shpresat për pranim të avionëve luftarakë amerikanë F-16 këtë vit, ndonëse ka ushtruar presion të vazhdueshëm te aleatët perëndimore që t’i dërgohen këto mjete të avancuara për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus që vijon prej shkurtit të vitit të kaluar.

Aktualisht, trupat ukrainase janë të angazhuara në kundërofensivën për të rikthyer kontrollin e territorit të pushtuar nga Rusia. Disa ekspertë kanë vlerësuar se kundërofensiva është duke u zhvilluar me ritëm mjaft të ngadaltë.

Rusia vazhdon të kontrollojë më shumë se 100 mijë kilometra katrorë të territorit ukrainas, përfshirë Gadishullin ukrainas të Krimesë, të aneksuar më 2014-ën në mënyrë të paligjshme. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Siç dihet, Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë gjetur vdekjen mijëra persona dhe miliona të tjerë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65858 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE