Sterilizimi, ja argumentet që SPAK-u paraqiti në GJKKO!
Top Channel zbardh argumentet e SPAK-ut, me të cilat shkoi në Gjykatën e Posaçme për koncesionin e Sterilizimit. Në dosjen që siguroi gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha shkruhet:
Më 3 korrik 2023, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, pasi u njohën me aktet e procedimit penal konstatuan se në datë 13.01 2020 është regjistruar procedimi penal nr.13 të vitit 2020 që bëhet fjalë për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë në tendera”, Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në lidhje me procedurën e dhënies me koncesion për “shërbime të integruara për orfrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale dhe furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga aktet rezulton se në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar subjekti Nisma Thurje ka depozituar kallëzimin penal për zyrtarët publikë të përfshirë në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, të cilët me veprimet e tyre, mund të kenë konsumuar elementë të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, shkeljen e barazisë e pjesëmarrjes në tendera dhe/ ose korrupsion pasiv duke përdorur pushtetin publik për përfitime private. Nga përmbajtja e materialit kallëzues rezulton se: Më datë 10 dhjetor të vitit 2015Ministria e Shëndetësisë me miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë me miratimin e Ministrisë së Financave dhe KLP ka lidhur një kontratë koncesionare me kompaninë “Sani Service “për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.
8 persona u vunë nën masa sigurie nga GJKKO, 8 vite pas firmosjes së koncesionit të Sterilizimit dhe rreth 4 vite pasi çështja u kallëzua në SPAK.
Në cilësinë e kryetarit të komisionit për koncesionarin me vlerë fillstare 9.6 miliardë lekë, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj përfundoi në “Arrest me burg” për “Shpërdorim detyre” e “Falsifikim të dokumenteve”. “Arrest me burg” edhe për biznesmenin Ilir Rrapaj, i dyshuar për “Mashtrim me pasoja të rënda” dhe që kryeson konsorciumin.
Veç 8 personave, GJKKO i sugjeroi SPAK-ut të ushtrojë ndjekje penale për 6 të tjerë, përfshirë ish-ministrat Ilir Beqja e Shkëlqim Cani. SPAK shprehet se ka veçuar hetimet edhe për të tjerë të dyshuar në kontratën e Partneritetit Publik Privat, të kallëzuar dhjetorin e 2019-ës nga Nisma Thurje.
Kontrata e Sterilizimit u firmos në vitin 2015 nga ministri i Shëndetësisë dhe biznesmeni i kompanisë “Sani Service” e ndonëse u kundërshtua nga ministri i Financave, edhe ai e miratoi. Për këtë çështje, dje Shkëlqim Cani ishte në SPAK si person që ka dijeni, pavarësisht se Gjykata Antikorrupsion vuri në pikëpyetje rolin e tij.
Gjithashtu, GJKKO kërkoi vënien në lëvizje të ILDKPI-së për të shpallur “të pavlefshme” kontratën e Sterilizimit, pasi u firmos në kushtet e konfliktit të interesave.